Pushteti LSDM, BDI, ASH e të tjera, paskan nënshkruar manifest për negociata me BE-në. I ashtuquajturi manifest nuk është gjë tjetër përveç se tentativë për të manipuluar opinionin, e në praktikë gjithçka veprojnë kundër anëtarësimit në BE dhe vlerave të BE, thuhet në reagimin e sotëm të Lëvizjes Besa.
“Më e logjikshme për partitë në Qeveri do të ishte të nënshkruajnë “Manifest” për atë se:
Si do të luftohet krimi dhe korrupsioni, si të zbardhet rasti “Soravia” dhe keqpërdorimet e pushtetit nga ministrat e BDI, LSDM, të cilët tash janë milionera,
Si të lirohen nga kapja e LSDM-së dhe BDI-së prokuroria dhe gjykatat,
Si të jetë pjesë e ndryshimeve Kushtetuese heqja e 20% dhe vendosja e gjuhës shqipe,
Si të “çlirohen” partitë e pushtetit nga funksionarët që janë në listën e zezë amerikane,
Si të departizohet arsimi dhe kultura,
Si të funksionojë sistemi shëndetësor dhe personeli mjekësor të qëndroj në vendin tonë,
Si të ndalohet egzodi me ikjen e të rinjve,
Si dhe si të ndërtohet shtet i barabartë dhe i drejtë për të gjithë qytetarët”, thuhet në reagim.
Kur të gjitha këto çështje do të funksionojnë, shtojnë nga atje, atëherë BE do të hap dyer për Maqedoninë e Veriut./Telegrafi/