Ekipi pejan tashmë ka filluar të dëshmojë cilësi, si në lojë individuale, e po ashtu edhe në atë kolektive, duke kompletuar fitoren e tretë me radhë. Vendasit në asnjë moment nuk e kanë zbehur vendosmërinë për fitore edhe pse mysafirët janë treguar mjaft të papërshtatshëm në këtë përballje.
“Jam i kënaqur edhe me lojë edhe me rezultat, besoj se me këtë lojë ne treguam mundësitë tona të vërteta”, tha trajneri i Besës, Miftar Rama. Epërsia fillestare vendase erdhi në minutën 15’ nga penalltia, kur paraprakisht Kujtim Kutllovci luajti me dorë brenda zonës. I saktë nga 11 metra ishte Mensur Duraku.
Të kota ishin përpjekjet e mitrovicasve për të ndryshuar shifrat, sepse reparti mbrojtës në krye me Valmir Bytyqin ishte i pamposhtur. Besa dyfishon epërsi me të filluar pjesëloja e dytë. Endrit Maloku përfiton nga një gabim i mbrojtjes së Trepçës dhe pasi që kalon portierin vendos topin në rrjetë 2:0.
Pejanët kishin edhe disa raste tjera për të shënuar, ku vlen të përmendet rasti kur Gentian Mazrekaj u gjend ballë për ballë me Ibrahimin, por pa sukses. Deri në përmbyllje të dyja ekipet dështuan të shënojnë dhe rezultati mbeti i njëjti.
”Megjithëse humbëm në Pejë, jam i kënaqur me lojën e futbollistëve të mi, pasi që ishim me ekip të përgjysmuar”, tha trajneri i Trepçës, Emin Ajvazi. Javën e ardhshme Besa do të udhëtojë në Vushtrri ku do të sfidojë liderin, Llamkos Kosovën, derisa Trepça do të jetë nikoqire e Fushë Kosovës. /Zëri/Telegrafi/