Besa Famgas ka vazhduar dominimin e plotë në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt). Besa të enjten në Prishtinë e fitoi titullin e kampionit për edicionin 2021/2022.
Madje këtë titull e ka fituar në mënyrë të veçantë, duke mos lëshuar asnjë pikë gjatë gjithë kampionatit.
Pasi fitoi 18 ndeshjet e pjesës së rregullt të kampionatit, skuadra pejane i fitoi edhe dhjetë ndeshje në Superligën A.
Në gjysmëfinale të play-offit e mposhti dy herë Rahovecin, ndërsa bilanc të njëjtë kishte edhe ndaj Prishtinës në finale të plejofit. Për Besën e Pejës është titulli i nëntë rresht. Është i 16-ti pas luftës, ndërsa dy tituj të tjerë i kishte fituar në vitet e nëntëdhjeta.
Ndeshjen e dytë finale, Besa e fitoi ndaj Prishtinës me rezultat 38:34. 15 minutat e parë u takuan vendasve që ishin në epërsi të lehtë. Por më pas pejanët u mobilizuan dhe shkuan në pushim me epërsi prej 19:15. Lojtarët e Prishtinës e kanë dhënë më të mirën edhe në pjesën e dytë, por pa rrezikuar epërsinë e mysafirëve.
Egzon Gjuka i shënoi 9 gola për Besën. 8 i kishte Kastriot Jupa, derisa 5 i realizoi Deniz Terziqi. Agon Bajqinovci ishte më efikasi te Prishtina me 8 gola. Nga 5 i shënuan Vlerson Zherka e Yll Visoka.
Kupën e kampionit, kapitenit të Besa Famgas, Nikola Prce, ia dorëzoi presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini.