Telegrafi

Besa Famgas fiton ndaj Prishtinës dhe bën hapin e parë drejt mbrojtjes së titullit

(Foto: kosovahandball.info)

Besa Famgas e ka fituar ndeshjen e parë finale të ‘play-offit’ në Superligën e Kosovës në hendboll.

Skuadrës pejane tani i duhet edhe një fitore apo një barazim për ta mbrojtur titullin e kampionit.

Finalja e parë në mes të Besës dhe Prishtinës u luajt të shtunën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë dhe përfundoi me rezultati 38-30 në të mirë të skuadrës vendase. Besa ka vazhduar me fitore këtë edicion. Ishte fitorja e 31-të kampionale.

Pejanët nisën herët shkëputjen në rezultat, ndërsa pas pjesës së parë kishin epërsi prej shtatë golash (17-10). Epërsia e Besa Famgas ishte bindëse edhe në pjesën e dytë. Në fund dallimi ishte tetë gola, 38-30.

Egzon Gjuka ishte më efikasi te Besa me 12 gola. Nga pesë i shënuan Nikola Prce e Denis Shabanoviq. Te Prishtina, 9 gola i realizoi Oltion Beshiri. Agon Bajqinovci, Beni Syla e Festim Mustafa shtuan nga pesë.

Ndeshja e dytë finale luhet në mesjavën e ardhshme në Prishtinë.