Site icon Telegrafi

Besa e zhyt drejt fundit Vardarin, turpërohet Struga në shtëpi

Java e 10-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut ashtu sikurse edhe pritej, solli shumë të papritura dhe ndeshje që ishin tejet interesante, njofton Telegrafi.

Në duelin më të rëndësishëm të javës së 10-të, Rabotniçki ka marrë pikë të plota ndaj Gostivarit, me golin e vetëm që e shënoi në fillim të pjesës së parë Atdhe Mazari. Kështu tani skuadra nga Shkupi mbetet i vetmuar në kreun e tabelës, duke rritur epërsinë e pikëve ndaj dy ndjekësve Shkëndijës dhe Gostivarit.

Shkëndija e Tetovës nuk arriti të bëjë asgjë më shumë në duelin ndaj Tikveshit dhe kthehet në Tetovë me vetëm një pikë. Ndeshja në fjalë përfundoi me barazim 0-0.

Edhe skuadra tjetër shqiptare, Shkupi në duelin me Pelisterin në Manastir ka marrë vetëm një pikë, ndërsa asnjëra skuadër nuk arriti që të shënojë gol në barazimin 0-0.

Voska Sport në frymën e fundit ka marrë një pikë shumë me vlerë në udhëtimi n në Strumicë te ekipi i Breras. Antoinio Ilievski në minutën e dytë të kohës shtesë arriti të shënojë një gol spektakolar me kokë, për të barazuar rezultatin.

Besa e Dobërdollit nën udhëheqjen e trajnerit të ri Berat Imeri ka marrë fitore me shumë vlerë në duelin ndaj Vardarit. Xhemail Esati kaloi në epërsi skuadrën e Besës në e dhjetë, ndërsa mysafirët nga Shkupi barazuan në pjesën e dytë, kur po luhej minuta e 73-të me anë të Omeragiçit. Por Besa nuk e kishte thënë fjalën e fundit, pasi po kërkonte pikë të plota në këtë përballje, ndërsa për këtë u përkujdes Imran Fetai, i cili katër minuta më vonë shënoi golin e fitores.

Debakël për Strugën në terren të vet. Ekipi i Qatip Osmanit u mposht nga Sileksi me rezultat të lartë 4-1. Adi Aliç shënoi për mysafirët, ndërsa Sava Radiq barazoi për struganët. Dhe më pas Sileksi përsëri ishte në rolin kryesor duke shënuar edhe tre gol atë tjerë, duke e “nokautuar” kampionin aktual. Marong, Ignjato dhe Gjorgjievski shënuan për 1-4.

Tikveshi – Shkëndija 0-0, Pelisteri – Shkupi 0-0, Struga – Sileksi 1-4, Besa – Vardari 2-1, AP Brera – Voska Sporti 1-1 dhe Rabotniçki – Gostivari 1-0

Në tabelë Rabotniçki mban vendin e parë me 22 pikë, i ndjekur nga Shkëndija me 19 pikë, ndërsa Gostivari qëndron në vendin e tretë me 17 pikë. /Telegrafi/

Exit mobile version