Një audicion i humoristit Bes Kallaku në simotrën e programit ‘Portokalli’ në shtetin italian, u bë shkak që të thuhej se aventura mbi një dekadë në Top Channel për aktorin ka përfunduar.
Fundi i padeklaruar ndonjëherë i pjesëmarrjes në spektaklin ‘Portokalli’ u pa si një hap i natyrshëm pas suksesit në fazën e parë të ‘Zelig’.
Megjithatë, duket se i vërshuar nga lajmet e tilla, humoristi e ka parë të rrugës të sqarojë të ardhmen, të paktën për muajt në vazhdim.
Ai ka treguar përmes një postimi se do vazhdojë t’i shoqërojë shqiptarët të dielave në ekran, transmeton Prive.
“Meqë ra llafi. Ju përshëndes nga provat e Portokallisë. Unë edhe krejt trupa do të vazhdojmë t’i përkushtohemi buzëqeshjes së shqiptarëve. Shihemi këtë sezon në Portokalli. Përqafime. Ju ruajt Zoti”, ka shkuar Besi.