Site icon Telegrafi

BERZH: Valë e re falimentesh në Europën Lindore

"Kjo është një sfidë e vështirë dhe nuk duhet nënvlerësuar, as ekonomikisht, por aq më tepër politikisht, ndaj dhe ne nuk duhet të lejojmë eufori apo optimizëm të tepruar", tha Mirrow.

Vala e parë e krizës në Europën Lindore u shënua në shkurt të këtij viti, kur tërheqja e investimeve të huaja solli zhvlerësim të shpejtë të monedhave të këtyre vendeve. Ekspertët paralajmëruan në atë kohë se zhvlerësimi i monedhave kombëtare do të sillte një katastrofë të shpejtë për sistemin financiar, për shkak se shumica e kredive në Europën Lindore janë dhënë në valutë të huaj dhe sa më shumë të zhvlerësohej monedha, aq më shumë kredimarrës humbnin aftësinë paguese. Angazhimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe garancitë e dhëna nga qeveritë e Europës Perëndimore e shmangën rrezikun e katastrofës në atë kohë.

Por sipas BERZH, asgjë nuk është zgjidhur përfundimisht. Gjatë muajve të fundit, shumë kredimarrës kanë humbur aftësinë paguese. Eksportuesit kanë shtyrë pagesat e kësteve për shkak të rënies së kërkesës nga jashtë; një pjesë e kredimarrësve individualë kanë humbur vendet e punës etj. Për pasojë, edhe pse kriza e bilancit të pagesave u shmang me sukses, kreditë e këqija në të gjitha vendet po rriten me shpejtësi.

Në Shqipëri, niveli i kredive të këqija arriti në 8.9 për qind të totalit të kredive të dhëna deri në maj. Te kreditë e këqija klasifikohen kreditë që nuk janë shlyer për një periudhë disamujore. Përveç tyre, edhe 7.7 për qind të tjera janë kredi të vonuara për disa ditë apo disa javë. Kreditë e këqija janë rritur me shpejtësi në Shqipëri gjatë muajve të fundit, por megjithatë, ato nuk përbëjnë ende rrezik për stabilitetin financiar të bankave. Deri tani, kreditë e këqija kanë "ngrënë" fitimet që bankat realizojnë zakonisht.

Exit mobile version