Site icon Telegrafi

BERZH ul parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në raportin e fundit rajonal.

Sipas BERZH, ekonomia vendase tashmë pritet të zgjerohet me 2.5 për qind, ose 0.5 pikë përqindje më pak se pritshmëria në muajin shtator.

Rritjen më të lartë pritet që ta ketë Mali i Zi, me 3.3 për qind, i ndjekur nga Kosova me 3 për qind. Ndërsa Serbia, Bosnjë Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut pritet të zgjerohen me 2 për qind.

Për vitin 2022, BERZH vlerëson se ekonomia vendase është rritur me 3.7 për qind. Ecurinë më të mirë ekonomike në 2022 e shënoi Mali i Zi (6.3 për qind), por që vjen pas një rënieje më të fortë në periudhën e pandemisë. Bosnja është zgjeruar me 4 për qind, Kosova me 3.2 për qind, Maqedonia e Veriut me 2.5 për qind dhe Serbia me 2.3 për qind.

Rritja e ekonomisë shqiptare pritet të përshpejtohet lehtë në 2024, në 3.3 për qind, parashikon BERZH.

Sipas raportit, prodhimi në rajonin e BERZH pritet të rritet me 2.1 për qind në vitin 2023 pasi çmimet e larta të gazit dhe inflacioni i vazhdueshëm do të ndikojnë negativisht mbi perspektivën ekonomike. Parashikimi aktual përfaqëson një rishikim në rënie krahasuar me skenarin bazë të publikuar në shtator 2022, megjithëse është më i fortë se në skenarin e mëparshëm të rënies, i cili supozonte se nuk do të kishte furnizim me gazin rus.

Exit mobile version