Site icon Telegrafi

BERZH ul parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë, vendi i rrezikuar nga çmimet e larta të energjisë elektrike

Ekonomia e Shqipërisë pritet të zgjerohet me 3.3 për qind në vitin 2022, tha sot Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), duke ulur me 0.4 pikë përqindje projeksionin e muajit nëntor për rritjen ekonomike të vendit.

Në vitin 2023, produkti i brendshëm bruto (PBB) i Shqipërisë pritet të rritet me 3.5 për qind, tha BERZH në raportin e fundit të Përditësimit Ekonomik Rajonal, i cili trajton efektet e luftës në Ukrainë në ekonominë globale.

Gjithashtu, parashikimi i BERZH për rritjen ekonomike për vitin 2022 për rajonin e Ballkanit Perëndimor u ul me 0.9 pikë përqindjeje në 3.2 për qind.

Sipas BERZH, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndikohen negativisht nga çmimet e larta të naftës dhe gazit, ndërsa Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova janë më të ekspozuara se vender e tjera ndaj rritjes së çmimeve të energjisë elektrike pasi importojnë një sasi dukshëm më të lartë të energjisë në krahasim me eksportin.

Lexo po ashtu Ekonomia shqiptare rritet me 8.54 për qind në 2021

Efektet indirekte në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor nga një recesion më i gjerë evropian dhe global mund të jenë të konsiderueshme, duke pasur parasysh ndërlidhjet e ngushta midis ekonomive të rajonit dhe eurozonës, veçanërisht në sektorin e automobilave ku Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina mund të jenë më të goditurat.

Ekonomia e Shqipërisë vlerësohet të jetë rritur me 8 përqind në vitin 2021, pas tkurrjes me 3.3 për qind në vitin 2020.

Ndërkohë, instituti shqiptar i statistikave INSTAT publikoi sot të dhënat paraprake për ecurinë e PBB-së për vitin 2021. Sipas INSTAT, PBB-ja u rrit me 8.54 për qind vitin e kaluar, që është niveli më i lartë që nga viti 2001. /Telegrafi/

 

Exit mobile version