Telegrafi

BERZH, me një strategji të re për Shqipërinë

Drejtori i grupit të biznesit për rajonin në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Peter Reiniger, në një intervistë për "Top Channel" thotë se kriza ndërkombëtare në rajon nuk është kapërcyer, por se ka zbritur në ekonominë reale.

"Në vlerësimin tonë, sektori financiar në Shqipëri është i shëndetshëm, ka një stabilitet të jashtëzakonshëm dhe aftësi ripërtëritëse të jashtëzakonshme. Rezultatet e vitit 2009 janë më të mira se mesatarja e vendeve europiane. Ajo çfarë ne shohim dhe që e kemi diskutuar edhe me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, është fakti se bankat në treg janë duke punuar mirë dhe po injektojnë kapitalin e nevojshëm për të cilin ka nevojë ekonomia", thotë drejtori i rajonit, Peter Reiniger.

Zoti Reiniger thotë në përgjithësi se ekonomia shqiptare do të tregojë rritje të ekonomisë gjatë vitit 2010, e cila, sipas tij, do të jetë më e lartë se të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe se banka do të jetë prezente në këtë rritje. Sipas zotit Reiniger, bordi i bankës në muajin nëntor do të diskutojë strategjinë e re të investimeve për Shqipërinë, e cila parashikon më shumë investime.

"Ne do të risim aktivitetin në Shqipëri dhe fokusi ynë do të jetë për të krijuar një balancë zhvillimi mes investimeve publike në infrastrukturë dhe energji dhe sektorit financiar. Viti 2010 ekskluzivisht do t‘i kushtohet financimeve në sektorin privat, për të siguruar më shumë financime për sektorin bankar, rritjen e transaksioneve nëpërmjet bankave, financime për ndërmarrjet private, ndërkohë që do të financojmë projekte për rikonstruksionin e rrugëve rajonale dhe lokale dhe në dy projekte në energji", tha Reiniger.

BERZH është pjesë e grupit të Bankës Botërore dhe dega që do të merret më intensivisht me Shqipërinë në vitet e ardhshme. Shqipëria doli nga grupi i vendeve që mbështeten me kredi të buta nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA sipas akronimit në anglisht) në vitin 2006 dhe do të vijojë të mbështetet nga grupi i BB-së përmes BERZH-it, e cila jep kredi me terma tregtare.