Site icon Telegrafi

BERZH mbledh sot udhëheqësit e Ballkanit

Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, pritet të mblidhen sot në Londër për të diskutuar rreth çështjes së investimeve dhe mundësive që ato ofrojnë për të bërë biznes në vendet e tyre.

Kjo u bë e ditur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim përmes një njoftimi për shtyp. Ky është takimi i dytë i këtij lloji që organizohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, pas atij të shkurtit të vitit 2014.

Pjesëmarrjen në këtë takim të rëndësishëm të Kryeministri, Edi Rama, e ka konfirmuar edhe zyra e shtypit e Kryeministrisë, përmes ditarit të shpërndarë për mediat.

Presidenti i BERZH-it, Suma Chakrabarti, do të hape konferencën, e cila do të vazhdojë me panelin ku do të jenë të pranishëm kryeministrat e Ballkanit.

Në tre panele të tjerë, do të diskutohet për zhvillimin e rrjeteve të transportit, për energjinë e rinovueshme dhe agjendën e privatizimeve në Ballkanin Perëndimor. Në këto panele do të marrin pjesë anëtarë të kabineteve qeveritare, sipërmarrës dhe investitorë.

Takimi i nivelit të lartë, ka si synim nxitjen e investimeve të huaja direkte në rajon dhe projektet e përbashkëta ndërkufitare.

Gjatë konferencës do të prezantohet nisja e një projekti të BERZH-it, një platformë e re rajonale për kuotimin e titujve të bursave të Bullgarisë, Kroacisë dhe Maqedonisë.

BERZH-i përmes njoftimit për shtyp bën të ditur se edhe bursa sllovene dhe serbe kanë shprehur interesin për tju bashkuar kësaj nisme, e cila synon integrimin rajonal të tregjeve të kapitalit.

BERZH-i është ndër investitorët kryesorë në rajonin e Ballkanit. Vetëm vitin e kaluar Banka ka investitor afër 1 miliard euro në projekte të ndryshme në sektorin e energjisë, infrastrukturës apo edhe atë financiar në mbështetje të bujqësisë në vendet ballkanike. /Telegrafi/

Exit mobile version