Kosova e cila kryesisht prodhon energjinë elektrike nga linjiti, së shpejti do të fillojë prodhimin e sajë nga era.
Kredia e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerë prej 58 milionë euro do të ndihmojë ndërtimin e projektit për prodhimin e energjisë nga era. Kjo kredi është gjysma e totalit e kërkuar për financim, ndërsa pjesa tjetër do të financohet nga Erste Group Bank dhe NLB Bank.
Kur të përfundojë projekti në Bajgorë, do të përfaqësojë rreth 10 për qind të kapacitetit të energjisë në vend dhe do të ndaloj emetimin e 247 mijë ton dyoksid karboni në vit.
Ky do të jetë centrali energjetik më i madh i ndërtuar në Kosovë që nga vitet 80-ta dhe paraqet një hap të madh në tranzicionin e energjisë në Kosovës.
Financimi i projektit do t’u mundësojë pronarëve të saj, Sowi Kosova LLC, që të ndërtojnë projektin për prodhimin e energjisë elektrike nga era. Sowi Kosova LLC është në pronësi të Enlight Renewable Energy Ltd, një kompani me partneritet izraelito-gjermano-kosovare.
“Ne jemi të kënaqur që jemi përsëri partnerë me Enlight Renewable Energy Ltd për të mbështetur këtë projekt. Është mirë të shohësh një vend, i cili deri më tani është mbështetur nga linjiti, të fillojë të shfrytëzojë potencialin e energjisë së rinovueshme”, tha Harry Boyd-Carpenter, drejtor për energji në BERZH.
Ndërsa, Ilir Grapci nga Sowi Kosova LLC tha se kompania do të prodhoj energji elektrike pa ndikim negativ në mjedis dhe komunitet.
“Projekti do të ndihmojë diversifikimin e prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë, dhe arritjen e caqeve të përcaktuara për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të ripërtrishme. Përmes projektit, SOWI Kosovo do të prodhojë energji elektrike pa ndikim negativ në mjedis dhe komunitet’, thekson Grapci, njëri nga pronarët në kompaninë SOWI Kosova LLC.
BERZH deri në vitin 2020, 40 për qind të investimeve të saja vjetore do t’i bëjë në ekonominë e gjelbër. /Telegrafi/