Site icon Telegrafi

BERZH fuqizon Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik

Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim ka shprehur gatishmërinë të ndihmojë Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, përmes një projekti që do ta financojë për të angazhuar një staf të sekretariatit që të ketë lidhje më të mira në mes shoqatave të bizneseve dhe institucioneve publike.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, e ka vlerësuar si iniciativë të jashtëzakonshme ndihmën e BERZH-it për ta themeluar një sekretariat teknik që do ta mbështesë Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

“Do të ishte ide shumë e mirë kjo që propozuat, për themelimin e një sekretariati. Ne do t’iu mbështesim, dhe është dakord edhe kryeministri që t’i japim fuqi këtij këshilli. Qëllimi ka qenë rritja e këtij këshilli që të jenë të përfaqësuara të gjitha shoqatat e bizneseve”, tha ai.

Ndërsa këshilltar i Lartë për Klimën e Investimeve në BERZH, Franklin Steves, ka thënë se këtë praktikë e kanë bërë edhe në vendet e rajonit.

“Puna e sekretariatit është që të merret me dialogun në mes sektorit privat dhe qeverisë dhe të sigurojë një punë teknike analitike të mirëfilltë që dalin nga rekomandimet e Këshillit dhe t’ia përcjell qeverisë”, ka thënë Steves.

Roli i këtij sekretariati do të jetë zëri i bizneseve që do ta përçojnë te qeveria. Stafi i këtij sekretariati do të ketë kontrata me BERZH-in dhe do të funksionojë në kuadër të MTI-së, që do të ketë bashkëpunim të ngushtë me ministrin.

Po ashtu, në këtë takim është diskutuar për një portal rajonal i regjistrimit të bizneseve, që do të jetë online dhe që pjesë e tij do të jetë edhe Kosova. Aty mund të gjenden informacionet e regjistrave të bizneseve të rajonit. /kp/Telegrafi/

Exit mobile version