Telegrafi

BERZH dhe partnerët e saj fuqizojnë bizneset e Kosovës me investime prej 17 milionë euro

Luksemburgu, Norvegjia dhe SHBA janë duke kontribuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm përmes Programit SME Reboot të BERZH

Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme janë shtylla kurrizore e ekonomisë së Kosovës, e cila përbën 99.8% të bizneseve të regjistruara dhe pothuajse 80% të punësimit. Megjithëse roli i tyre është vendimtar, NVM-të përballen me sfida të shumta gjatë rrugëtimit të tyre drejt progresit. Këto sfida pengojnë aftësinë e tyre për të konkurruar në mënyrë efektive si në tregjet rajonale ashtu edhe në ato ndërkombëtare, dhe kjo u krijon pengesa në rritjen dhe qëndrueshmërinë e tyre.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka lansuar Programin SME Reboot me qëllim që të mbështesë rritjen e qëndrueshme të NVM-ve, të përmirësojë qëndrueshmërinë dhe produktivitetin e tyre përmes investimit në teknologjitë që kursejnë energji, që janë të gjelbra dhe konkurruese. Ky është një program rajonal i pranishëm në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Linja e kreditit zbatohet përmes bankave komerciale partnere. ProCredit Bank në Kosovë ka qenë institucioni i parë financiar që iu bashkua këtij programi. Përmes kësaj nisme, peizazhi afarist i Kosovës merr një stimulim të konsiderueshëm, duke çuar në krijim të vendeve të punës dhe përparim ekonomik.

Sot festojmë një moment historik, njëqind projekte nga 95 NVM nga e gjithë Kosova janë financuar përmes Programit SME Reboot të BERZH, duke u mbështetur përmes financimit prej rreth 17 milionë euro deri tash. Investimet përfshijnë përmirësimin e kapaciteteve prodhuese, përmbushjen e standardeve ndërkombëtare, efiçiencën e energjisë, mbrojtjen e mjedisit si dhe kërkesat për shëndet dhe siguri në punë.

“Pothuajse gjysma e prodhimit tonë është e destinuar për eksport, prandaj është me rëndësi të përmbushim kërkesat e shëndetit dhe sigurisë në punë në pajtim me ligjet dhe direktivat kombëtare dhe ndërkombëtare. Falë këtij investimi, kemi dyfishuar numrin e punonjësve në këtë departament dhe mund të akomodojmë kapacitete të reja të prodhimit, dhe synojmë të punësojmë edhe më shumë në të ardhmen e afërt duke nisur një ndërrim të dytë pune” – thotë një nga kompanitë pjesëmarrëse. 

Si pjesë e programit, kompanitë përfitojnë asistencë teknike e cila ka për qëllim të optimizojë projektet e tyre investuese, dhe përfitojnë një grant prej 15%, pas verifikimit të suksesshëm të projektit. Ky kombinim unik i mbështetjes teknike dhe grantit është mundësuar nga mbështetja e donatorëve të Programit—Luksemburgu, Norvegjia dhe SHBA—përmes Fondit për Impakt në Bizneset e Vogla nga BERZH (i cili mbështetet nga Irlanda, Italia, Japonia, Koreja, Luksemburgu, Norvegjia, Suedia, Zvicra, Taipei i Kinës, dhe Shtetet e Bashkuara). 

Prodhimi është qartazi sektori kryesor për investime në Kosovë, i cili pasohet nga tregtia me pakicë dhe shërbimet, si dhe ushqimi dhe pijet. Duke synuar këta sektorë, programi synon të rrisë mundësitë për sipërmarrësit, duke nxitur konkurrencën dhe qëndrueshmërinë brenda ekonomisë së Kosovës. 

Nëse jeni ndërmarrje e vogël ose e mesme në Kosovë dhe synoni t’u qaseni tregjeve të reja, të investoni në teknologji efiçiente energjetike, standarde të shëndetit dhe sigurisë në punë apo të përmirësoni cilësinë e produkteve/shërbimeve tuaja, mund të aplikoni përmes bankës ProCredit Bank në Kosovë si dhe Raiffeisen Leasing në Kosovë dhe të bëheni edhe ju histori suksesi e Programit SME Reboot të BERZH.