Telegrafi

Berza e Punësimit, shpresë e të rinjve për punësim

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) me mbështetjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, të premten në Prishtinë kanë hapur Berzën e Punësimit “Kosova 201”.

Shumë të rinj kosovar që në hapje të Berzës, mbushnin aplikacionet me shpresë se kjo u paraqet një mundësi të mirë për punësim. Interesimi i të rinjve ishte jashtëzakonisht i madh.

Por se sa do të arrijnë ata që përmes këtij aktivitetet të punëson, mbetet të shihet edhe pse ata që kanë organizuar këtë ngjarje, janë optimist se kjo është një mënyrë e mirë dhe një shans për të rinjtë kosovarë të cilët janë të pa punë.

Kryetari i AKB-së Agim Shahini, tha se ata edhe këtë vit do ta japin një kontribut të vogël në këtë papunësi të madhe, e cila në Kosovë vazhdimisht shënon rritje. “Besoj se ky projekt do të ketë një numër të konsiderushëm të të punësuarve, e që ky është një kontribut shumë i vogël në krahasim me përpjekjet tona të mëdha dhe në krahasim me kërkesat e mëdha që kemi nga punëkërkuesit. Por sot të punësohet edhe një është një kontribut, por të punësohen edhe 500 janë pak”, tha ai, raporton Ekonomisti.

Shahini tha se në dy berzat e punësimit të mbajtura dy vitet e kaluara janë punësuar mbi 1300 punëkërkues. Ndërsa ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq bëri thirrje për një patriotizëm ekonomik. “Ne kemi fuqi, vetëm nëse jemi së bashku. Të gjithë ju jeni një potencial i jashtëzakonshëm. Ne kurrë nuk do të dorëzohemi, duke gjetur mënyra të reja për juve”, ishin fjalët e Rashiq, drejtuar të rinjve të cilët ishin të pranishëm, me shpresë se do të gjenin punë.

Ndërsa zëvendësdrejtori i Zyrës Zvicrrane për bashkëpunim në Kosovë tha se dihet tashmë se sa e vështirë është për të rinjtë kosovarë të gjejnë një vend pune. “Punësimi në Kosovë është një prej shqetësimeve më të mëdha. Të rinjtë kosovar ende e kanë të vështirë të gjejnë punë qoftë në bizneset private dhe në ato shtetërore”, tha ai.

Në Berzën e Punësimit “Kosova 2011”, po marrin pjesë 100 kompani të sektorëve të ndryshëm, po ashtu dhe shkollat e ndryshme të agrobiznesit, shkolla profesionale të ndryshme të ndërtimtarisë për të tentuar që të kenë edhe trajnime nëpër shkolla. /Telegrafi/