Telegrafi

Bërvenica me çerdhe të re për fëmijë

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska, dhe kryetari i Komunës së Bërvenicës, Enver Pajaziti sot vëzhguan aktivitetet e ndërtimit të çerdhes së re në Komunën e Bërvenicës. Me objektin e ri sigurohet hapësirë për 80 fëmijë.

“Me ndërtimin e kësaj çerdhe fëmijësh në Komunën e Bërvenicës, ku deri tani nuk ka pasur objekt për kujdes të fëmijëve, i realizuam qëllimet strategjike për përfshirjen e fëmijëve, posaçërisht të rinjtë nga mjediset rurale në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve. Qëllimi ynë kryesor është që ta zmadhojmë përfshirjen e fëmijëve në arsimin parashkollor për 50% për shkak se zhvillimi i hershëm fëmijëror është kyç për zhvillimin e mëtutjeshëm tek secili fëmijë”, tha Carovska, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Për ndërtimin e kësaj çerdhe, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ndau rreth 26.6 milionë denarë.

MPPS vazhdon t’i përmirësojë kushtet dhe cilësinë e mbrojtjes fëmijërore. Nga maji i vitit 2017 deri këtë vit, MPPS ka investuar në ndërtim, rikonstruim dhe pajisje në 31 objekte./Telegrafi/