Bërthama e Tokës mund të ketë ndaluar së rrotulluari, ose tani po rrotullohet sikurse akrepat e orës, sipas një studimi të ri.
Bërthama e planetit tonë përbëhet nga një shtresë e jashtme e metalit të lëngshëm dhe një bërthamë e brendshme prej metalit të ngurtë, e cila është gati sa 70 për qind e madhësisë së Hënës.
Në përgjithësi besohet se bërthama rrotullohet në drejtim të kundërt të akrepave të orës kur shikohet nga Poli i Veriut, raporton euronews.
Një studim, i cili ka analizuar të dhënat e valëve sizmike gjatë 60 viteve të fundit të mbledhura nga dy shkencëtarë kinezë të Universitetit të Pekinit, ka arritur në përfundim se bërthama ka ndaluar së rrotulluari në vitin 2009 ndërsa së fundi ka filluar të lëvizë në drejtimin e akrepave të orës.
“Ne mendojmë se bërthama, në raport me sipërfaqen e Tokës, rrotullohet në një drejtim dhe më pas në tjetrin, si një luhatëse”, tha Xiaodong Song dhe Yi Yang, autorët e studimit.
Një cikël i plotë (në një drejtim dhe më pas në tjetrin) i kësaj lëkundje zgjat rreth 70 vite, shtuan ata.
Sipas studiuesve, para vitit 2009, ndryshimi i fundit i rrotullimit ka të ngjarë të ketë ndodhur në fillim të viteve 1970, dhe tjetri do të ndodh në mesin e viteve 2040.
Gjetje kundërthënëse
Ka ende shumë debate për natyrën e bërthamës së Tokës, sepse është e vështirë të mblidhen informacione.
Skaji i bërthamës së jashtme takohet me shtresën e Tokës në një thellësi prej rreth 2890 kilometra, dhe ajo besohet se përbëhet prej hekurit dhe nikelit të lëngshëm.
Ndërkohë, bërthama e brendshme fillon 5000 kilometra nën sipërfaqen e planetit dhe besohet se përbëhet nga hekuri dhe nikeli i ngurtë, ku për shkak të presionit të jashtëzakonshëm detyron të grumbullohen atomet e metalit.
Ajo qëndron brenda bërthamës së jashtme dhe besohet se ka qenë duke u rrotulluar në të njëjtin drejtim si pjesa tjetër e Tokës, bazuar në analizën e valëve sizmike të shkaktuara nga tërmetet.
Xiaodong Song dhe Yi Yang studiuan këto valë sizmike, teksa zbuluan një “kthim gradual mbrapa të bërthamës së brendshme si pjesë e një lëkundjeje përafërsisht shtatë dekadëshe”.
Punimi i tyre është publikuar në revistën Nature Geoscience.
“Ky është një studim shumë i kujdesshëm i kryer nga shkencëtarë të shkëlqyeshëm që shfrytëzuan shumë të dhëna”, tha John Vidale, një sizmolog në Universitetin e Kalifornisë Jugore, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim.
Megjithatë, ai shtoi se “asnjë nga modelet ekzistuese nuk i shpjegon mirë të gjitha të dhënat në dispozicion”.
Sa shpesh ndryshon rrotullimi i bërthamës së brendshme të Tokës?
Vidale publikoi vitin e kaluar një studim që sugjeron se bërthama e brendshme lëkundet shumë më shpejt, duke ndryshuar drejtimin rreth çdo gjashtë vjet, sipas të dhënave sizmike nga dy shpërthime bërthamore që datojnë nga fundi i viteve 1960 dhe fillimi i viteve 1970.
Një tjetër gjeofizikant, Hrvoje Tkalcic në Universitetin Kombëtar Australian, beson se cikli i bërthamës së brendshme është rreth 20 deri në 30 vjet, në vend të 70 viteve të “propozuara” nga studimi i kësaj jave në Nature Geoscience.
Studiuesit e Universitetit të Pekinit pohojnë në punimin e tyre se kjo lëkundje “përkon me ndryshimet në disa vëzhgime të tjera gjeofizike”, të tilla si gjatësia e ditëve dhe ndryshimet në fushën magnetike të Tokës.
“Këto vëzhgime ofrojnë prova për ndërveprime dinamike midis shtresave të Tokës”, shkruajnë ata.
“Ne shpresojmë që hulumtimi ynë të motivojë hulumtuesit për të projektuar dhe testuar modele që trajtojnë Tokën si një sistem dinamik të integruar”, shpjegojnë ata. /Telegrafi/