Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes ka konfirmuar se sulmuesi Mirlind Daku do ftohet për ndeshjet e muajit mars.
FFK sot (e mërkurë), publikoi listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjet ndaj Lituanisë, Suedisë dhe Spanjës, ku nuk ndodhej sulmuesi i Ballkanit, Mirlind Daku dhe kishte kritika të shumta nga tifozët tanë ish futbollistët dhe analistët tanë.
“Lajmi.net”, ka kontaktuar përzgjedhësin e Kosovës, Bernard Challandes, i cili konfirmoi se sulmuesi kosovar do të ftohet për tri ndeshjet e këtij muaji.
“Përshëndetje, Mirlind Daku do të jetë i ftuar. FFK do bëjë komunikatë zyrtare me informacione shtesë”, ka thënë Challandes shkurtimisht.
Daku ka shkëlqyer në Superligë duke shënuar 25 gola në 25 ndeshje deri më tani.
Kosova do të luajë ndaj Lituanisë një ndeshje miqësore, ndërsa kundër Suedisë dhe Spanjës do të zhvillohen në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Botëror.