Ky ekip për herë të parë arriti që të marrë pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Meritat më të mëdha për një sukses të tillë, i ka njeriu i parë i kësaj skuadre, presidenti Ardijan Takaj, i cili arriti që ta formojë një skuadër edhe për garat evropiane.
Pjesë e Skënderbeut janë edhe futbollistët Bernard Berisha, Liridon Latifi, Bajram Jashanica, Leonit Abazi dhe Bujar Shabani të cilët vijnë nga Kosova.
Takaj në një intervistë për Gazetaolle.com thotë se numri i lojtarëve nga Kosova në ekipin e tij, mund të shtohet.
Është folur së fundmi për një interesim të Skënderbeut për vëllëzërit Suad e Emir Sahiti (Rabotniçki) dhe si të Shend Kelmendit (Prishtina). “Jemi duke e analizuar situatën për të vendosur për lëvizjet”, tha Takaj i pyetur për lojtarët kosovarë të cilët mund të zbarkojnë në Korçë.
Në pyetjen se a mund të transferohet Bernard Berisha, në Rusi te Anzhi Makhachkala, Takaj e zbuloi ekskluzivisht për ‘Olle’ një gjë të tillë. “Berisha do të largohet në Rusi te Anzhi”.
Kujtojmë se Skënderbeu që në pesë vitet e fundit ka dal kampion në Shqipëri, derisa ka edhe shumë tifozë në Kosovë.
Takaj tha se në mundësinë e parë që do t’i jepet, ky klub do ta zhvillojë një ndeshje miqësore në Kosovë me një nga ekipet kosovare. “Në mundësinë e parë, do të jemi në Kosovë për ta zhvilluar një ndeshje miqësore”, përfundoi Ardijan Takaj.