Në historinë e fotografisë shqiptare, emri i Bernadina Marubit ende nuk është artikuluar siç duhet për kontributet e saj. Në Muzeun Kombëtar Marubi, galeria e fotografive të realizuara prej saj, dallon për lirizmin që mbart.
I ulur në një karrige druri, Peng Jaku duket i butë dhe pse ka veshur një kostum xhandarmerie. Fotoja është realizuar në vitin 1922, pikërisht në studion e të jatit, Kel Marubit.
Alo Cami është një tjetër shkodran që pozon para aparatit fotografik të Bernadinës. Zenel Tepelena, Ragip Gjylbegu, apo Luke Ndocja që i dallohet përparsja e bardhë në fustanin me vija, janë të tjerë personazhe të Shkodrës fotografuar nga Bernadina.
Por, për vajzën që mori dashurinë për fotografinë nga fotot e të atit, dimë shumë pak. Në historinë e fotografisë shqiptare ajo konsiderohet si femra e parë fotografe. Kryesisht fotot e realizuara prej saj datojnë pas 1920-tës.
Bernardina Marubi njihet edhe si vajza që qëndisi flamurin me një shqiponjë dykrenore me dy flatra më 1913-n (flamur që gjendet sot tek arbëreshët e Italisë)
Vajza e Kel Marubit, u rrit duke ndjekur lojën e aparatit fotografik, duke parë sesi në studion e vogël, merrnin jetë negativa filmash. Ashtu me ndrojtjen e një fëmije, ajo nisi të bënte fotot e para, pa e ditur se ato shkrepje do të shënjonin një periudhë të rëndësishme për fotografinë shqiptare.
Fotot e realizuara nga Bernardina dhe anëtarë të tjerë të dinastisë Marubi, mund t’i shohim në muzeun virtual që tashmë është gati për të mirëpritur shikuesit. Rreth 100 mijë fotografi të digjitalizuara (45 mijë prej tyre janë hedhur në muze) të ftojnë të udhëtosh në kohë, për të parë personazhe dhe imazhe që të japin një pasqyrë tjetër të kulturës dhe historisë të së shkuarës sonë, të shkrepura gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX.
Për jetën private të Bernadinës ne dimë shumë pak. Në shkrime të kohës shohim vetëm se pas martese ajo ka marrë mbiemrin Harapi. Për gruan që ka sjellë një koleksion të çmuar në Shqipërinë e pas viteve 1920-të me siguri do të hulumtohet më shumë për studiuesit e fotografisë.