Telegrafi

Berlusconi pajtohet të shesë Milanin

Silvio Berlusconi raportohet se është pajtuar të shesë 80 për qind të aksioneve të Milanit te një grupi kinez.

Një konglomerat nga Lindja e Largët ka qenë në bisedime për blerjen e Milanit, me marrëveshjen që shtyhej shkaku i operacionit të zemrës që bëri Berlusconi.

Gazeta italiane La Repubblica raporton se marrëveshja është arritur. Pronarët e rinj do të kenë 80 për qind të aksioneve për të cilat kanë paguar 750 milionë euro, përfshirë edhe 240 milionë borxhe.

Gazeta raporton se Berlusconi ka pasur një takim me kompaninë e tij Fininvest. Detajet e fundit të marrëveshjes kanë përfunduar në javët e fundit ndërsa klubi pritet të dalë me konfirmim zyrtar gjatë javës së ardhshme.