Site icon Telegrafi

Berlini ul rëndësinë e raportit për Turqinë dhe “islamikët”

Që prej së martës është e qartë se çfarë mendon qeveria gjermane për raportin me Turqinë. Një ditë më vonë, pjesëmarrësit përpiqen ta minimizojnë rastin e vështirë.

“E pakuptueshme” është për të se si arriti dokumenti i drejtuar ndër të tjera edhe asaj, tek mediet. Këtë e tha Sevim Dagdelen, deputete e partisë E Majta në Bundestag, të mërkurën në Kanalin e Dytë Televiziv Gjerman, ZDF. Në tekstin prej dymbëdhjetë faqesh, me vlerësime pjesërisht konfidenciale, për Turqinë thuhet se që prej vitit 2011 ajo është kthyer në një “platformë qendrore veprimi për grupimet islamike të rajonit të Lindjes së Afërt dhe të Mesme”. Ky vlerësim që ndoshta bazohet në vlerësimet e Shërbimit Informativ Gjerman, BND është karakterizuar shprehimisht si konfidencial në tekst: “Vetëm për përdorim të kufizuar”.

Se kush ua ka përcjellë gazetarëve dokumentin jo ndihmues për marrëdhëniet gjermano-turke kjo mbetet e paqartë edhe pas konferencës qeveritare. Mediet ndërkombëtare të akredituara në kryeqytet duan të dinë para së gjithash se a ka qeveria gjermane një qëndrim të unifikuar për përmbajtjen e dokumentit. Por për këtë as që mund të bëhet fjalë. Ministria e Jashtme nuk i mbështet deklaratat e medieve “të shprehura në mënyrë kaq të përgjithshme”, tha zëdhënësja Sawsan Chebli.

Zëdhënësi i Merkelit thekson “marrëdhëniet e veçanta” me Turqinë

Por se cilat paragrafë të dokumentit nuk i pëlqejnë institucionit të saj, këtë Chebli e lë të hapur. Edhe zëdhënësi i Angela Merkelit, Steffen Seibert tërheq vëmendjen disa herë për konfidencialitetin e pjesëve të caktuara të teksteve. Por një gjë është e dukshme: si Kancelarja, ashtu edhe ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier mundohen qartësisht përmes zëdhënësve të tyre që t’ia largojnë mprehtësinë dokumentit delikat. Të dy theksojnë “marrëdhëniet e veçanta” me Turqinë.

Ata tërheqin vëmendjen për luftën e përbashkët kundër “Shtetit Islamik” dhe tek bashkëpunimi në çështjen e refugjatëve; por edhe tek rreth tri milionë vetët me origjinë turke në Gjermani. Që Turqia mban kontakte edhe me Hamasët palestinezë, të cilët Gjermania i ka shpallur organizatë terroriste, këtë Chebli e komenton në mënyrë diplomatike: “Të gjitha dialogjet që zhvillohen kanë rëndësi shumë të madhe në rajon”. Njëkohësisht ajo tërheq vëmendjen që marrëdhëniet e Turqisë me Izraelin janë përmirësuar. Pra me atë vend, të drejtën e ekzistencës të të cilit Hamasët nuk e pranojnë.

Nga Ankaraja ka ardhur një reagim i fortë. Në të, ministria e Jashtme e kundërshton vlerësimin e Turqisë si “platformë qendrore veprimi” për islamistët. Këto pohime, thuhet, janë “një dëshmi tjetër për pozicionimin e gabuar, me të cilin prej disa kohësh bëhen përpjekje për ta dërrmuar vendin tonë, duke vënë në shënjestër Presidentin e shtetit tonë ose qeverinë tonë”, transmeton DW.

Informacionet më të rëndësishme janë nga BND

Po të kishte ushtruar dot Ministria e Jashtme gjermane ndikim në përmbajtjen e shkresës, ndoshta ajo do të kishte qenë më pak e qartë. Ky supozim është afërmendsh, pas 62 minutash pyetjesh këmbëngulëse të gazetarëve dhe përgjigjeve kryesisht shmangëse. Por e qartë është edhe se përgjigja dërguar Grupit Parlamentar e Majta nga Ministria e Brendshme Gjermane pasqyron në thelb qëndrimin e qeverisë gjermane. Në fund të fundit, vlerësimi për Turqinë dhe për marrëdhëniet e saj të shumëllojshme me islamistët vjen kryesisht nga Shërbimi Informativ Gjerman. Ai është përgjegjës për kundërzbulimin – dhe është në varësi të Zyrës Kancelarore.

Exit mobile version