Berisha këtë edicion me Sigal Prishtinën ka fituar të gjithë titujt në konkurrencën e meshkujve në basketbollin kosovar duke filluar nga Superkupa e Kosovës, Kupa e Kosovës dhe trofeun e Kampionit të Kosovës.
“Po ndihem shumë mirë sepse e kemi përfunduar në mënyrën më të mirë të mundshme një sezon të suksesshëm”, tha fillimisht Berisha.
I pyetur se a e ka pritur një sukses të tillë në vitin e tij të parë me Sigal Prishtinën, ai u shpreh: “Po, ndoshta e kemi pritur por e kemi ditur se nuk do të jetë e lehtë dhe ashtu doli”.
Ndërsa, sa i përket të ardhmes, dy herë basketbollisti më i mirë në Kosovë thotë se nuk e di çfarë e pret edhe pse në tavolina ka disa oferta nga klube të Ligës Ballkanike dhe evropiane. I pyetur se a ekziston mundësia që të largohet nga Kosova, Dardani tha: “Unë nuk po merrem me këto punë, prej fillimit jam përqendruar veç te fitimi i titullit me Prishtinën dhe prezantimit sa më të mirë në Ligën Ballkanike, ndërsa ofertat do t’i shqyrtoj pas pushimit”, u shpreh Dardani ekskluzivisht për Telegrafin.
“Nuk kam bërë plane për të ardhmen, por të gjitha opsionet janë të hapura, si largimi në ndonjë shtet tjetër, si qëndrimi këtu në Kosovë”, përfundoi Berisha. /Telegrafi/