Telegrafi

Berisha, Vuçiqit: Serbia do ta humb çdo luftë që e fillon

Ish-kryeministri i Shqipërisë, tani kryetar i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në emisionin Kojshia Show, ka folur për tensionet e fundit në veri të Kosovës për çështjen e targave si dhe kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë.

Berisha ka thënë se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, duhet ta dijë se në çdo rast kërcënime nga Serbia, shqiptarët do të reagojnë si një komb i vetëm.

“Çdo kërcënim i tij duhet hedhur poshtë dhe ai duhet ta dijë që shqiptarët, në çdo rast do të reagojnë si komb i vetëm. I bën hesapet shumë gabim në këtë drejtim. Shqiptarët janë eprorë, kanë epërsi të plotë ndaj serbëve si komb. Kanë kauzë të drejtë, pastaj po të jetë puna për të luftuar, u faktua, janë të fundit që luftuan në Evropë, Serbia ishte e armatosur me të gjitha mjetet, por humbi luftën, firmosi kapitullimin. Sigurisht që ishte NATO faktor madhor, por shkak kryesor ishte qëndrimi i Serbisë”, ka thënë kreu i PD-së.

Berisha ka thënë se, edhe pse Serbia tani ka një shans historik për të marrë, siç thotë ai, një drejtim epokal tjetër për të ardhmen e vet, Vuçiq e sheh karrigen e tij, interesat e tij prej
serbomadhi dhe i sigurt, bën kërcënime lufte.

“Serbët nuk fitojnë luftëra. Ata nuk zgjedhin mësime nga historia. Ata kanë nisur ato luftëra dhe i kanë humbur të gjitha, dhe do humbasin çdo luftë që të nisin. Në vend që të kthehen e të bëhen anëtare të NATO-s, të BE-së e t’i thonë lamtumirë një të shkuare me të cilën s’mund të krenohen. Ata rrinë me të shkuarën e tyre”, është shprehur Berisha.

Berisha thotë se Kosova ndodhet para sfidave të vështira por sipas tij nuk duhet të lëshojë pe në raport me sovranitetin e vendit.