Site icon Telegrafi

Berisha uron Giorgia Melonin për fitoren e zgjedhjeve në Itali: Do të jetë kryeministre reformatore

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar Gioriga Melonin për fitoren e zgjedhjeve parlamentare në Itali.

Përmes një deklarate për mediat nga selia blu, Berisha u shpreh se Italia ndodhet në një moment historik pas fitores së koalicionit të djathtë.

Sipas tij, Meloni do të jetë kryeministrja reformatore e Italisë.

“Jam sot këtu për të përshëndetur fitoren e koalicionit të djathtë në Itali, Giorgia Melonit, Mateo Salvinit, Silvio Berluskonit. Sot, Italia është në një moment historik. Giorgia Meloni, sipas votës së qytetarëve italianë, do të jetë kryeministrja reformatore e ardhshme e Italisë.

Fitorja e zonjës Meloni dhe e koalicionit që ajo udhëhoqi është fitore e vlerave konservatore më të arrira, fitore e lirisë, familjes, atdhetarisë dhe atdheut, por Giorgia Meloni është një euroatlantiste e vendosur. Ajo ka përkrahur plotësisht qëndresën e kombit ukrainas për liri, dënoi agresionin barbar rus ndaj Ukrainës”, theksoi kryedemokrati.

Udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni, ka shpallur fitoren në zgjedhjet parlamentare në Itali dhe është në rrugën e duhur për t’u bërë kryeministrja e parë femër në vend.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meloni është shprehur se me këtë fitore të së djathtës, në Itali është shkruar historia.

Ajo ia ka dedikuar fitoren militantëve të partisë dhe atyre të cilët e kanë mbështetur në rrugëtimin e saj. /Telegrafi/

Exit mobile version