Federata e Taekwondo-së së Kosovës (FTK) përmes një njoftimi ka konfirmuar suksesin e Berishës, derisa ky asosacion sportiv ka kritikuar institucionet e vendit tonë për neglizhencën për të përkrahur FTK-n dhe garuesit e këtij sporti.
“Ndonëse i harruar nga Institucionet e Kosovës, anëtari i Reprezentacionit të Kosovës njëherit garuesi më i suksesshëm i Taekwondo-së në Kosovë, Durim Berisha po vazhdon të shkëlqej në aktivitetet ndërkombëtare të Taekwondo-së. Ashtu si në të kaluarën edhe këtë herë Berisha përfaqësojë Kosovën me vetëfinancim, pasi sukseset e tij ndonëse të vazhdueshme, e në veçanti në muajt e fundit, kur kjo është hera e katërt brenda pesë muajve të fundit që ai kurorëzon me sukses pjesëmarrjen e tij në evenimentet ndërkombëtare, nuk po duket se u lënë përshtypje udhëheqësve të sportit në Kosovë”, është thënë në njoftimin e FTK-së.
Sipas këtij njoftimi, Berisha, i cili i solli Kosovës medaljen e parë ndërkombëtare në vitin 2010 nga një turne zyrtar i Federatës Evropiane të Taekwondo-së (ETU), këtë herë shkëlqeu ne Zvicër në një eveniment që mblodhi disa nga garuesit më eminent në botë.
“Pas Kampit 3 javor stërvitor i cili u organizua nga Federata e Taekwondo-së të Kosovës në Prishtinë, ai u paraqit në ‘Schaffhausen Open 2014’ në Zvicër në kategorinë -80 Kg. Në finale mposhti Kampionin aktual të Gjermanisë Ewald Glessmann në një finale dramatike e cila përfundoj me rezultat 27:23. Është kjo ndër sukseset më të mëdha për Federatën e Taekwondo-së të Kosovës, pasi po dëshmohet se puna e stafit teknik të kësaj federate po sjellë fryte të vazhdueshme”, thuhet në njoftimin e FTK-së.
FTK thotë se katër medalje ndërkombëtare në katër muajt e fundit nuk janë pak. FTK shpreson se në të ardhmen e afërt do të vij përkrahja institucionale dhe sistematike ndaj FTK e cila është anëtare e Federatës Botërore të Taekwondo-së dhe në muajin maj do të jetë pjesëmarrëse në Kampionatin Evropian për Senior në Baku. /KP/Telegrafi/