Site icon Telegrafi

Berisha thirrje Konferencës Islamike: Njihni Kosovën

Komentet e tij Berisha i bëri në një intervistë për televizionin satelitor me bazë në Katar “Al Jazeera”, gjatë vizitës së tij në këtë vend.

Berisha theksoi me këtë rast se Shqipëria si vend anëtar i Konferencës Islamike, do të përpiqet të luajë rol më të madh brenda kësaj konference, edhe pse është shtet i vogël, në mënyrë që të njihet shteti i ri i Kosovës.

Berisha kujtoi me këtë rast se vendet e Konferencës Islamike votuan më 1994 njëzëri rezolutën e Kombeve të Bashkuara ku kërkohej zgjidhja e çështjes së Kosovës, duke kërkuar që edhe tani të bëjnë të njëjtën gjë për ta mbështetur këtë vend.

Kryeministri shqiptar tha se mbi 55 vende e kanë njohur tashmë Kosovën dhe askush nuk e ka bërë këtë për të shpërblyer shqiptarët apo për të ndëshkuar serbët, por e kanë bërë për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Konferenca Islamike është organizata e dytë më e madhe ndërqeveritare në botë pas OKB-së dhe ka aktualisht 57 anëtarë të shpërndarë në katër kontinente.

Në rast se gjithë shtetet e kësaj organizate do të njihnin Kosovën, kjo do të përmbyste raportet e krijuara dhe në OKB-në për njohjen e shtetit të ri të Kosovës. /news24/balkanweb/telegrafi/

Exit mobile version