Site icon Telegrafi

Berisha: Do të krijojmë një front opozitar të gjerë për përmbysjen e këtij regjimi

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka paralajmëruar se do të krijojnë një front opozitar pasi sipas tij, është i domosdoshëm.

Në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ai ka thënë se fronti opozitar do të shërbejë për “përmbysjen e regjimit”.

“Në analizën tonë ne kemi statutin për bazë, ndaj jeni të ftuar që në përputhje me statutin, duke pasur parasysh se asnjë analizë e jona nuk mund të errësojë faktin që kjo farsë elektorale nuk mund të njihet, nuk mund të pranohet. Po të pranojmë këtë farsë ne, e ulim kokën, futemi nën tavolinë. Ne do ngrihemi. Do bëjmë atë që nuk e kemi bërë gjer më sot. Ky ka kapur çdo pushtet, çdo gjë.

Kjo e vështirëson, por nuk e bën të pamundur misionin tonë. Ne do bëjmë gjithçka për një front opozitar, sa më të gjerë. Natyrisht me partitë politike opozitare të vërteta, me grupe, me organizata, me individë influentë. Por, një front opozitar është i domosdoshëm, qoftë për përmbysjen e këtij regjimi në një lëvizje të fuqishme demokratike, qoftë për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës të gjerë të frontit opozitar, ku opozita të rikthehet në pushtet. Është gusht, fundi i kohës se fillon e ngjitet. Por, ne duhet të bëjmë gjithçka që të mos humbasim asnjë kohë sepse detyrat i kemi jo të lehta, por absolutisht të përballueshme”, ka deklaruar Berisha.

Ai tutje ka thënë se Partia Demokratike po hyn tashmë në një periudhë jetike për të, ndërsa ka shtuar se zgjedhjet e 14 majit ishin “farsa më e shëmtuar në historinë e pluralizmit”.

“Ne me këtë mbledhje, hapim siparin e një etape të re në jetën e PD-së. Dhe në fakt, ne hyjmë në njërat nga periudhat më jetike, më të vështira, të jemi realiste, por edhe më vendimtare për rolin e kësaj partie. Po në këtë sallë muaj më parë, së bashku kemi qenë plotësisht dakord se me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka dhe se misioni ynë kryesor është rikthimi i votës së lirë për shqiptarët”. /Telegrafi/

Exit mobile version