Takimi ishte derbi i javës së 17-të të Superligës dhe ishte me peshë për hyrje në plejof. Ndeshja u zhvillua në palestrën në Vushtrri, shkruan sot Koha Ditore.
Deri te ndërprerja erdhi për shkak të sulmit fizik mbi gjyqtarin Xhelal Mumini nga trajneri i Yllit, Agron Berisha.
Sulmin mbi gjyqtarin Mumini e ka konfirmuar të dielën mbrëma FBK-ja dhe vëzhguesi i ndeshjes, Nexhdet Hoxha.
"Ndeshja është ndërprerë dy minuta e pesë sekonda para përfundimit të saj. Deri te ndërprerja ka ardhur si pasojë e sulmit fizik mbi gjyqtarin Xhelal Mumini nga trajneri i klubit Golden Eagle Ylli", ka thënë Hoxha.
Hoxha nuk ka dhënë shumë detaje për incidentin. Por është mësuar se edhe disa tifozë të Yllit janë futur në parket me synim që të sulmojnë Muminin. Kështu ka ardhur deri te një përleshje e shkurtër mes shikuesve të të dy skuadrave.