Ylli i përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Dardan Berisha, që nga fundi i vitit të kaluar është pjesë e klubit çek, CEZ Basketball Nymburk.
Ai vendosi të largohej nga Sigal Prishtina për ta vazhduar karrierën në Çeki dhe natyrisht se paraqitjet e tij gjithmonë tërheqin vëmendje.
Skuadra në të cilën luan Dardani, të dielën regjistroi fitore prej 105-72 përballë ekipit BK Opava.
Basketbollisti nga Kosova zhvilloi 20 minuta e 10 sekonda në këtë takim, ndërsa arriti të shënojë 23 pikë.
E veçanta e Berishës në këtë takim ishte se ai arriti të shënojë shtatë herë nga tri pikë.
Basketbollisti ynë, tentoi 12 herë për trepikësh, ndërsa rezultoi i saktë në shtatë raste.
Ndërkohë, ai ka qenë mjaft i vlefshëm për ekipin e tij duke dhuruar edhe një asistim, rrëmbeu tre topa dhe bëri pesë kërcime. /Telegrafi/