Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha mendon se PD me denoncimet e saj nxori jashtë skenës politike Erion Veliajn, ndërsa hedh dyshim se Kryeministri Rama lëshoi kryebashkiakun e Tiranës për të mbrojtur veten e tij.
Në një nga takimet me qytetarë, Berisha tha se Këlliçi ka zbuluar disa nga aferat e Veliajt, prandaj është vënë në hetim.
“Ja ku jemi ne sot, jemi të bashkuar, jemi me flamurin e PD, po e përcjellim për në banesën e fundit të politikës, Erion Veliajn dhe do të përcjellim Edi Ramën në zgjedhjet e ardhshme. Edhe kjo është një fitore jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse kundër nesh ishte kryeprokurori dhe nëqoftëse Edi Rama e lëshoi Erion Veliajn, e lëshoi për të mbrojtur veten e tij se ai nuk do të pranonte kurrë. Dhe ditët e fundit, kreu aktin e turpshëm për të zhurmuar fundin politik të Erion Veliaj, thirri Belind Këlliçin njeriun që në emër tuaj, në emër të qytetarëve të Tiranës, i bëri pretencën publike Erion Veliajt. I zbuloi modelin 100% të vjedhjes me 5D, u zbuloi bashkë me deputetë të tjerë të PD, aferën e djegësit, aferë e cila është në vetvete monumenti më i shëmtuar i hajnisë qeveritare ndaj qytetarëve dhe për ta zhurmuar sado pak gozhdimin që ky i bëri Erion Veliajt e thirrën për ta pyetur për shpifjet e Erion Veliajt, për diplomën.”
Nga ana tjetër kryetari i PD shpjegoi se si ka arritur Belind Këlliçi të bëjë foton me Presidentin e sapozgjedhur amerikan Donald Trump.
“Meqë Erion Veliaj vetë thonë që nuk ka diplomë, edhe Belindi nuk duhet të ketë diplomë, ndërkohë që Belindi ka diplomën më të shkëlqyer të atij universiteti ku ka studiuar. Meqenëse për Ramën janë dënuar 2 qytetarë amerikanë, njëri shqiptaro-amerikan, tjetri amerikan, 4 dhe 5 vjet burg për foton 70 mijë, tani nga doli fotoja me presidentin Donald Trump e Belind Këlliçit. Në fakt ajo foto është meritë e tij, se ajo foto është bërë pa asnjë qindarkë është bërë në saj të vullnetarizmit që Belind Këlliçi me guxim ndërmori për të bindur shqiptarët për të votuar Donald Trumpin në Michigan dhe unë e përgëzoj me këtë rast.”