Telegrafi

Berisha: Shpejt qytetarët shqiptarë do të udhëtojnë në korridorin e shqiptarëve

Kryeministri tha se do të jetë shumë e shpejtë dita kur të gjithë shqiptarët të kalojnë në këtë rrugë. “Këtë pranverë, do të themi të gjithë së bashku që korridori i shqiptarëve ‘u krye’", u shpreh Kryeministri, ndërsa nënvizoi se tuneli Thirrë-Kalimash po kalon në kilometrin e tij të fundit.

Kryeministri Berisha ftoi gjithë shqiptarët të vizitojnë rrugën, duke nënvizuar se realizimi i saj është një përgjigje edhe për ata që nuk i kanë kursyer akuzat për këtë rrugë.

“Më vjen ndërmend një dialog që kam pasur me një nga “armiqtë” e egër të rrugës, i cili në një moment nuk u përmbajt dhe lëshoi një seri kërcënimesh. Unë i thashë se rrugën do ta bëjmë dhe tashmë jam i bindur se përgjigjia ka qenë e merituar. Nuk mund t’i jap ndonjë emër më të bukur kësaj rruge sesa korridori i shqiptarëve”, theksoi ai.

Berisha siguroi se qeveria do të vazhdojë investimet në projektet e infrastrukturës rrugore në të gjithë vendin. “Do të ndërtohet rruga e Arbrit, ne do ta bëjmë edhe atë, do t’i bëjmë të gjitha rrugët tona, sepse janë rrugë që shqiptarët i meritojnë”.

Ai po ashtu tha se dua të falënderoj edhe njëherë dhe të përshëndes punonjësit, ndërtuesit e kësaj rruge, kompaninë e madhe Bechtel Enka, për punën e shkëlqyer që kanë bërë dhe po bëjnë.

" Tunelin nuk do të mundemi sot ta përshkruajmë të gjithin në këmbë, pasi është shumë i gjatë dhe ai po kalon në kilometrin e tij të fundit. Ura tjetër ka përfunduar dhe ashtu siç ju e shihni,është disponibël. Ftoj qytetarët që tashmë të vijnë dhe ta vizitojnë këtë rrugë. Mandje, nëse ndonjëri prej jush mundet të bindë edhe Edi Ramën që të vijë dhe ta vizitojë, në të kundërt, do t’i çojmë foto të kësaj rruge që ta lëmë pa gjumë” , u shpreh Berisha.

Bechtel Enka po punon në të gjithë gjatësinë e rrugës Rrëshen –Kalimash, prej 61 km. Puna vazhdon në 29 urat e kësaj rruge. 19 ura kanë përfunduar dhe ato tashmë përdoren nga mjetet e kompanisë për të lehtësuar trafikun. Janë ndërtuar dhe bazamentet dhe këmbët mbajtëse edhe për urat e tjera. Këtë muaj ka përfunduar dhe ura më e lartë në segmentin e tretë, një urë prej 80 metra e lartë.

Kompania Bechtel po punon njëkohësisht në të dy tunelet, në të dy hyrjet veri – jug, paralelisht. Progresi total i gërmimeve në metër kub, i kombinuar në të dy galeritë e tunelit, është 92 për qind.

Aktualisht në këtë rrugë punojnë rreth 3500 punonjës dhe për të arritur një progres të tillë punimesh, po përdoren rreth 1300 makineri të tipeve të ndryshme. /Telegrafi/