Palestra Karagaçi ishte stërmbushur sonte me Shqiponjat që dhuruan atmosfere impozante gjatë tërë takimit.
Mysafirët filluan ta diktojnë ritmin e lojës në fillim me dyshen Kendrick Jones dhe Blerim Mazreku që bashkëpunonin bukur në sulm, mirëpo pejanët u rikthyen në lojë përmes pikëve të qendrës amerikane George Oduwufa dhe e përmbyllën çerekun e parë me dy pikë epërsi, 14-12.
Çereku i dytë ishte tejet dramatik pasi herë njëra e herë tjetra palë e merrte epërsinë. Pejanët e nisën furishëm duke krijuar epërsi prej 6 pikëve, mirëpo pastaj në skenë doli Dardan Berisha me trepikëshat e tij duke e kthyer kështu epërsinë në anën e skuadrës së tij. Peja më pastaj rriti presionin dhe përfitoi nga nervozizmi dhe ngutja e Bardhekaltërve për ta përmbyllur pjesën e parë me vetëm një pikë epërsi, 41-40.
Sigal Prishtina u tregua e frikshme në fillim të çerekut me një seri 9-0 për të dalë kështu në tetë pikë epërsi, mirëpo pastaj pasuan disa gabime në sulm të cilat i shfrytëzuan Samir Shaptahu dhe Gerti Shima për t’i kthyer edhe njëherë Pejës epërsinë në fund të këtij çereku, 61-57.
Vendasit ishin ata që shpërthyen në çerekun e fundit duke e ngritur epërsinë deri në 11 pikë (70-59), mirëpo mysafirët treguan se nuk kanë ardhur për humbje dhe i ndezën motorët në kërkim të barazimit të rezultatit. Kjo gjë edhe ndodhi pranë rezultatit 76-76 me ndihmën e Berishës, kur kishin mbetur edhe 100 sekonda deri në përmbyllje të takimit.
Përderisa kishin mbetur edhe 50 sekonda deri në fund, Alban Veseli gaboi në pasimin e tij drejt Mazrekut dhe i dha mundësi Pejës për t’i shënuar dy pikë përmes Oduwufas që i sollën dy pikë epërsi Pejës. Në sulmin e ardhshëm Veseli u faulua me vetëm 6 sekonda deri në përfundim të ndeshjes. Ai i humbi dy gjuajtjet e lira mirëpo kapiteni legjendar Edmond Azemi e rrëmbeu topin dhe e nxori një rivënie anësore. Nga rivënia anësore topi shkoi te Mazreku i cili u faulua dhe përkundër vërshëllimeve drithëruese të Shqiponjave i shënoi të dy gjuajtjet e lira për ta dërguar këtë ndeshje në vazhdime, pasi rezultati përfundimtar ishte 80-80.
Në vazhdime të dyja skuadrat ishin shumë të lodhura dhe bënin gabime të shumta në sulm. Ishte Blerim Mazreku i cili me një depërtim të fuqishëm shënoi 2 pikë(83-86) duke u fauluar nga Oduwufa, i cili u largua nga loja për shkak të faulit të pestë të tij, e kjo gjë i solli vështirësi të madhe Pejës, e cila mbeti pa lojtar qendre. Peja shënoi dy pikë në aksionin e radhës dhe e afroi rezultatin në vetëm një pikë, mirëpo në sulmin tjetër Veseli shënoi dy gjuajtje të lira për t’ia rikthyer përsëri epërsinë prej tre pikëve Sigal Prishtinës me vetëm 10 sekonda deri në fund të ndeshjes.
Mario Edwards i realizoi dy gjuajtje të lira për ta ngushtuar përsëri rezultatin në një pikë, ndërsa në sulmin tjetër Berisha u faulua dhe i shënoi dy gjuajtjet e lira për t’i dhënë fund gjithçkaje dhe për t’i dhuruar fitoren e dytë të finales së play-offit skuadrës së tij me rezultat 87-90.
Më i miri në këtë ndeshje padyshim se ishte Dardan Berisha me 39 pikë, ndërsa për Pejën shkëlqeu Mario Edwards me 26 pikë. Ndeshja e radhës mes këtyre dy skuadrave do të zhvillohet në Prishtina dhe nëse Sigal Prishtina fiton përsëri atëherë do të shpallet kampione e ETC Superligës së Kosovës në basketboll. /Telegrafi/