Site icon Telegrafi

Berisha: Sektori bankar storie e suksesit

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) së bashku me KfW-në e mbështetur nga Bashkëpunimi Gjerman për Zhvillim sot organizojnë ceremoninë e lansimit të dritares “Agro”. Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është institucion i pavarur dhe i qëndrueshëm që lëshon garanci institucioneve financiare për të mbuluar rrezikun për kreditë e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM-të).

Drejtori menaxhues i këtij fondi, Besnik Berisha, tha se FKGK-ja nxitë huadhënien përmes sigurimit të garancive të pjesshme të kredive të cilat shërbejnë si zëvendësim i kolateralit, duke u ndihmuar në këtë mënyrë bankave që të zvogëlojnë riskun dhe kërkesat për kolateral.

Ai ka tha se sektori bankar është një storie e suksesit. “Ky sektor është shumë i suksesshëm në Kosovë dhe ne i besojmë atyre”, tha ai në emisionin e mëngjesit RTK.

Berisha tha se ata garantojnë në shumë deri në 250 mijë euro për bizneset. “Ne mbulojmë të gjithë sektorët, kemi dëshirë më shumë të garantojmë sektorin prodhues”, tha ai.

Ndryshe FKGK është themeluar në janar të vitit 2016, bazuar në Ligjin për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.

Qëllimi i FKGK-së është të përkrahë sektorin privat në Kosovë, duke zgjeruar qasjen në financa për NMVM-të, duke mundësuar kështu edhe krijimin e vendeve të punës, rritjen e prodhimit vendor, përmirësimin e bilancit tregtar dhe avancimin e mundësive për sektorët ekonomikë më pak të shërbyer.

Ligji themelues i FKGK-së është iniciuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ndërsa zhvillimi i tij është përkrahur nga USAID në Kosovë, përmes Programit EMPOWER për Mbështetje e Kredisë (ECS). Ligji ka hyrë në fuqi më 23 janar 2016.

Në ceremoninë e lansimit të dritares “Agro” të pranishmëve do t’ju drejtohet Drejtori Menaxhues i FKGK-së, Besnik Berisha, Ambasadori i Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Christian Heldt, Udhëheqësi i Divizionit të sektorit financiar dhe zhvillimit ekonomik për Evropë Juglindore dhe Turqi – KfW Banka Zhvillimore, Markus Aschendorf, Drejtor i Misionit të USAID, James Hope dhe Ministri Financave Bedri Hamza. /Telegrafi/

Exit mobile version