Berisha është larguar prej kullës trekatëshe që në moshën 14- vjeçare, kur filloi mësimet në shkollën e mesme në Politeknikumin Mjekësor Tiranë.
Vizitat e tij në vendlindje kanë qenë të rralla, jo vetëm gjatë viteve të pluralizimit, kur ai braktisi profesionin e kardilogut për t’u marrë me politikë, ku arriti në postet më të larta të drejtimit dhe qeverisjes së shtetit.
Gjatë vitit 1999, ajo ndërtesë u kthye në një bazë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës duke rifituar disi gjallërimin e dikurshëm. Lejen për përdorimin e saj e dha vetë Berisha që në atë kohë ishte kryetar i Partisë Demokratike në opozitë.
Për muaj me radhë ajo u përdor nga ushtarët e UÇK-së por mëpas genocidi serb u shtri edhe në territorin shqiptar dhe pranë kullës së gurtë 100-vjeçare. Vetë Berisha ka deklaruar herë pas here se kullën e kanë shkatërruar predhat e ushtrisë serbe gjatë Luftës së Kosovës. “Është dëmtuar sepse në luftën me Kosovën ata e kanë gjuajtur me mortaja 127 mm të cilat i ranë afër”, ka pohuar ai.
Para dy vjetësh, Berisha vendosi të rindërtojë shtëpinë e vjetër ku ka lindur dhe ku kanë jetuar prindërit e tij, pra kulla e Zeqir Halilit në Viçidol të Tropojës.
Tashmë kulla ka përfunduar sipas projektit duke ruajtur traditën e kullës së vjetër, nga një skuadër e specializuar për ndërtimin e kullave me specialistë nga Kosova. /Tesheshi/Telegrafi/