Ish-zëvendësministri, Anton Berisha ka thënë se administrata e Prokurorisë së Specializuar ka mungesë profesionalizmi, pasi në aktakuzën e lëshuar kundër ish-presidentit Hashim Thaçit, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, shefit të Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimit dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit, është përdorur termi ‘katolikët’.
Berisha përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se Serbia e qarqet lindore e dëshirojnë këtë stigmatizim.
“Një mungesë profesionalizmi në administratën e Prokurorisë së Specializuar ku përdoret termi ‘katolikët’ nuk ka pse të na kompleksojë e as të na vë në pozita inferioriteti për qenien tonë. Ne e dimë, se Serbia e qarqet lindore e dëshirojnë këtë stigmatizim për kontekstet e tyre në thelb antishqiptare por që nuk ia kanë arritur në të kaluarën, e nuk do të arrijnë as sot e as nesër”, tha ai duke shtuar se tendencat nënçmuese e përçarëse nuk mund të shkundin kombin shqiptar.
Sipas tij, lufta e fundit në Kosovë ishte vazhdimësi e natyrshme që shqiptarët të gëzojnë lirinë e tyre.
Lexoni më poshtë të postimin e tij të plotë:
Ditë më parë, një ambasador i akredituar në Kosovë, në bisedë e sipër, u shpreh: “Anton, ju jeni pjesa e antikitetit shqiptar.”
Duke qenë rrënjë dhe gjak i kombit shqiptar ndër shekuj, së bashku me bashkëkombësit kemi ndarë të mirat e të këqijat në këto troje si rezultat i jetës tonë dhe ndikimit të okupuesve shekullor.
Edhe lufta e fundit, ishte vazhdimësi e natyrshme që shqiptarët të gëzojnë lirinë dhe të jenë siç thoshte Fishta : Zot në vend të vet, në një kauzë qytetërimi dhe ndërtimi të një shteti sipas modelit evropian.
Një mungesë profesionalizmi në administratën e Prokurorisë së Specializuar ku përdoret termi ‘katolikët’ nuk ka pse të na kompleksoj e as të na vë në pozita inferioriteti dëshmie për qenien tonë.
Ne e dimë, se Serbia e qarqet lindore e dëshirojnë këtë stigmatizim për kontekstet e tyre ne thelb antishqiptare por që nuk ia kanë arritur në të kaluarën, e nuk do të arrijnë as sot e as nesër.
Tendencat nënçmuese e përçarëse nuk mund të shkundin kombin antik shqiptar. /Telegrafi/