Site icon Telegrafi

Berisha: Rama po bllokon negociatat vetëm pse Beleri po mbron tokat në Jug

Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha mbajti këtë të premte një deklartë për mediat, ku u ndal dhe te çështja “Beleri”.

Berisha nënvizoi se është kryeministri Rama personi i cili nuk e lejon kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës të betohet.

Kjo sipas ish-kryeministrit bëhet vetëm për arsyen se Beleri nuk lejon që mafia e pushtetit të pushtojë brigjet në Jug të vendit.

Berisha tha se Rama është i gatshëm të bllokojë avancimin e integrimit vetëm për të arritur qëllimet në lidhje me tokat në bregdet.

“Edi Rama nuk mund të pranojë komisionet hetimore parlamentare për sterilizimin, sepse ai është bosi i sterilizimit. Kurrë një ministër nuk mund të nxirrte kryeministrin e vendit me një gërshërë të thyer dhe me një pincë me një krah për të mashtruar publikisht shqiptarët se ja si operoheshin ju, para se muratori im të merrte sterilizimin e veglave të kirurgjisë”, tha Berisha.

Lexo po ashtu Çështja Beleri, zbardhen kushtet e Greqisë për të mos bllokuar procesin e integrimit

“Në këtë rast, Beqaj është thjesht një Lefter Kokë, kurse koka e Meduzës e vjedhjes dhe e krimit është Edi Rama. Edi Rama nuk pranon dot komisionin hetimor parlamentar për check-upin që e ka bashkëshortja e kushëririt, që regjistron në seri shpirtra të vdekur si në defteret e Çiçikovit për të vjedhur dhe mbushur xhepat me miliona euro”, shtoi Berisha.

“Edi Rama nuk mund të pranojë hetimin e plaçkitjes së pronave të qytetarëve shqiptarë me të ashtuquajturat investitorë strategjikë sepse është vetë një nga makutërit, një nga plaçkitësit më të mëdhenj të këtyre pronave. Po bllokon negociatat, siç i ka bllokuar për 10 vite me radhë, i bllokon edhe tani vetëm e vetëm pse Beleri është një lloj Bollanoje që nuk lejon që mafia e Edi Ramës dhe pushtetit të pushtojë brigjet dhe tokat e banorëve të bregut. Nuk lejon. Këtu është gjithë problemi, ndaj dhe ai nuk pranon hetimin”, tha më tej ish-kryeministri.

“Qytetarë, do thoni ju fjalën tuaj. Sot revolta po vlon në shpirtin e çdo shqiptari. Sot revolta po zien në shpirtin e çdo shqiptari. Sot më shumë se kurrë, imagjinata e shqiptarëve punon për mosbindjen civile. Parlamenti është bërë shembulli më i gjallë, më frymëzues, më magjepsës i të gjithë atyre që janë të vendosur të angazhohen në një betejë pa kthim për përmbysjen e këtij regjimi banditesk. Edhe njëherë, seanca e gjyqit shtyhet për ditën e hënë”, tha Berisha. /Telegrafi/

Exit mobile version