Telegrafi

Berisha: Rama kundër Albin Kurtit, kërkon të amnistojë krimet serbe në Kosovë

Kreu i PD-së Sali Berisha, deklaroi se Kryeministri Edi Rama, është kundër homologut të tij kosovar Albin Kurti.

Në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, hodhi akuza ndaj kreut të qeverisë duke thënë se po kërkon të amnistojë krimet serbe në Kosovë

“Edi Rama në qëndrimin ndaj Aleksandar Vuçiq dhe Beogradit, shkelmon mbi gjakun e dhjetëra mijëra shqiptarëve vetëm në luftën e fundit.

Çfarë je ti zotëri, na thuaj, që kërkon të arkivosh gjenocidin dhe krimet e luftës që ka kryer Serbia në Kosovë. Çfarë autoriteti ke ti përveç skllavërisë ndaj Vuçiqit.

Si mund ta bësh një gjë të tillë. Shpjegojua shqiptarëve, janë 1500 fëmijë të djegur të gjallë, të vrarë, të therur në luftën e fundit.

Në cilin traktat, ligj ndërkombëtar është shkruar që gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit të mos konsiderohen. Vetëm në vasalitetin tënd ndaj Vuçiqit janë të shkruara këto”, deklaroi Berisha.