Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka deklaruar se nisma Ballkani i Hapur dhe të gjitha marrëveshjet e saj do të anulohen sapo Partia Demokratike të jetë në pushtet.
Gjatë fjalimit të tij në protestën e organizuar kundër takimit të nismës Ballkani i Hapur në Tiranë, lideri historik i PD-së Sali Berisha tha se ky projekt është i papranueshëm dhe i rrezikshëm, dhe bie ndesh me Procesin e Berlinit për integrimet e vendeve të rajonit në familjen e madhe evropiane.
“Përmes kësaj proteste ngrihemi për interesat jetike të kombit shqiptar. Jemi mbledhur sot këtu për të protestuar kundër projektit fantazmë të aleancës trelaterale Beograd-Tiranë-Shkup, apo treshes Vuçiq, dhe vasalët e tij Rama dhe Zaev. Në krye të radhës duhet të garantojnë shqiptarët se kjo dhe miqtë tanë, se kjo nuk është një protestë kundër bashkëpunimit rajonal, e kundërta është e vërtetë, ne kemi qenë dhe mbetemi të angazhuar për një bashkëpunim të frytshëm rajonal, për integrime rajonal për integrime euro-atlantike, por kjo është një protestë kundër një projekti i cili shkon në kurriz të mbarë kombeve të Ballkanit, përveç Beogradit, kundër një projekti, i cili është refuzuar kategorikisht nga Bosnja, Mali i Zi dhe Kosova, është shpallur si kërcënim nga Kroacia, një projekt i cili nuk synon gjë tjetër veçse vendosjen e hegjemonisë serbe në këtë rajon… Jemi kundër ndesh, sepse bie ndesh me interesin tonë kombëtar. Në fillimet e tij në këtë projekt, i ndërtoi hartat e rajonit, duke fshirë Kosovën si shtet i pavarur”, tha Berisha.
Berisha ka kritikuar treshen Rama, Vuçiq e Zaev për letrën dërguar Berlinit, e ku flitet për Ballkanin e Hapur si një nismë ku nuk përmenden shtetet e pavarura.
“Sot ne protestojmë si shqiptarë në këtë shesh sepse mini-Ballkani i Hapur është projekt i hapur me të cilin Vuçiq e Edi Rama kanë rrethuar Kosovën dhe kërkojnë të asgjësojnë pavarësinë e saj. Sot ne protestojmë këtu të gjithë qytetarët e Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjës, Kosovës dhe vetë Serbisë, të cilët shohin në projektin djallëzor të Ballkanit të Hapur një përpjekje aventurierësh për të zëvendësuar nismën e Berlinit. Lexoni letrën e tyre të sotme që këta aventurierë i drejtuan Berlinit, në asnjë vend nuk flasin për vende të pavarur, të barabarta, dhe nuk bëjnë fjalë për popuj sovranë, por për popull në konceptin e vjetër jugosllav. Lexoni letrën e tyre, një asnjë fjalë nuk flitet për dhunimin e standardeve demokratike në këto vende si shkaku kryesor i mbetjes së këtij rajoni në pritje për BE-në”, tha Berisha.
Nisma Ballkani i Hapur, sipas Berishës do të ndikojë shtrimin e ndikimit rus në Ballkan përmes Serbisë, të cilën ai e quajti një Rusi të vogël.
“Aleksandar Vuçiq ka ardhur këtu si udhëheqës i Ballkanit të Hapur, i tillë si udhëheqës i aleancës trelaterale Beograd, Shkup Tiranë, i tillë nuk do të jesh zotëri kurrë i mirëpritur në Tiranë. Jo dhe jo, sepse lordi yt është Moska dhe prapa nismës sate qëndron ideja e serbomanisë dhe prapa nismës tënde qëndron përpjekja për të shtruar këtë zonë në zonë të influencës së Putinit. Sot Serbia e Vuçiqit edhe më shumë se ajo e Millosheviqit është shndërruar në Rusinë e vogël. Në të vërtetë Rusia e vogël është rrezik për paqen e stabilitetin e Ballkanit dhe Evropës… Dua të deklaroj sot se Ballkani i Hapur do të hidhet poshtë me të gjitha marrëveshjet sapo PD të jetë në pushtet”, tha Berisha.
Ai ndërkaq ka akuzuar Vuçiq, Rama e Zaev se po përpiqen ta paraqesin Ballkanin e Hapur edhe si politikë që e mbështesin SHBA-ja, duke thënë se është një mashtrim, pasi SHBA mbështet bashkëpunim ndërmjet vendeve të barabarta dhe jo midis vendeve të panjohura.
Ndryshe, Berisha ka paralajmëruar se protesta të ngjashme do të mbahen edhe në të ardhmen.kp/Telegrafi/