Telegrafi

Berisha, qeveria e Kosovës e guximshme për autostradën

“Ka qenë një lajm i gëzuar”, ka theksuar Berisha, lidhur me lajmin për ndërtimin e autostradës në Kosovë. 

Në vazhdim Berisha ka deklaruar se do të fillojë studimi i fizibilitetit për hekurudhën Shqipëri – Kosovë.

“Unë do të shoh dhe do të marr fizibilitetin për hekurudhën Shqipëri – Kosovë. Porti i Durrësit do të bëhet shumë i madh. Shqipëria nuk është më e varfër, por ka një potencial real edhe për ndërtim hekurudhash të këtyre përmasave. Shqipëria duhet të dalë detyrimisht drejt Evropës Qendrore me hekurudhë dhe rruga më e mirë, e është drejt Kosovës”, ka theksuar Sali Berisha.

Duke folur për autostradën Morin – Kukës – Rrëshen, kryeministri i Shqipërisë ka pohuar se ajo do rifillojë së funksionuari pas tre-katër javësh.

“Për tre-katër javë tuneli i Kalimashit do të jetë plotësisht i kalueshëm. Pra, nga mesi i majit tuneli do të hapet. Tuneli që u shemb ishte tuneli që s’ishte hapur. Fillimisht do të hapet ai që u shemb, pastaj do të bëhen përforcimet në tunelin tjetër. Të gjithë sensorët që masin tensionin tregojnë një efiçencë të plotë të ndërhyrjeve”, ka theksuar ai.

Pas përfundimit të autostradës Durrës – Kukës – Morin, lind si domosdoshmëri zgjerimi i porteve të Durrësit, Vlorës, Shëngjinit, por edhe ndërtimi i porteve të reja, pasi autostrada, por pse jo më vonë edhe hekurudha, i mundëson daljen më të shpejtë në det Kosovës, Maqedonisë, por edhe Serbisë.

Politikanë dhe pushtetarë të lartë të të gjitha krahëve si në Shqipëri e Kosovë kanë përmendur portin e Shëngjinit në afërsi të Lezhës si një port që do t’i shërbejë kryesisht Kosovës dhe për këtë qëllim është nënshkruar edhe një marrëveshje në tetor të vitit të shkuar në Prishtinë në mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës.

Nga ndërtimi i rrugës Durrës – Kukës – Morin parashikohet të trefishohet edhe volumi i transportit të mallrave në Portin e Durrësit, ku 70 për qind e këtij volumi do t’u shërbejë vendeve të rajonit, kryesisht Kosovës e Maqedonisë.