Telegrafi

Berisha: Protestat nuk do ndalen, çfarëdolloj mase të merret

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha në një dalje për mediat ka paralajmëruar për protesta.

Në fjalën e tij ai theksoi se betejën e opozitës, të cilën e nisën në Kuvend do ta çojnë deri në fund.

Sipas tij, protesta të cilat janë paralajmëruar dhe më parë nuk kanë të bëjnë me ngjarjen e ndodhur së fundmi ku ndaj liderit demokrat është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitje” si i dyshuar i përfshirë në aferën e kompleksit “Partizani”.

Lexo po ashtu Nën akuzë për korrupsion, Berisha: Nëse një familjar i imi ka përfituar në kundërshtim me ligjin, atëherë unë jam përgjegjës

“Kjo që ka ndodhur nuk do të ndryshojë nga strategjia e mëparshme. Kemi nisur betejën në Parlament, dhe e kemi nisur me vendosmërinë më të fortë. Kur kemi nis betejën në Kuvend natyrisht ne kemi vetëdije se çfarë përfaqëson Grupi Parlamentar. Jo vetëm për ne si forcë politike, por për qytetarët. Nuk ka diskutim që ajo do të shoqërohet me një mbështetje e fuqishme popullore. Por një gjë do të jetë. Këto protesta nuk do të ndalen nga asnjë masë që mund të marrë Edi Rama. Ne e morëm këtë vendim pasi ai dëshmoi se kundër demokracisë është i aftë të bëjë çdo gjë. Edi Rama i zhvlerësoi totalisht deputetët ne Kuvend”, tha Berisha. /Telegrafi/