Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës, Rrustem Berisha priti sot në takim zëvendës ndihmës Sekretarin e Operacioneve të Përgjithshme të NATO-s, Jonathan Parish, i cili shoqërohej edhe nga drejtori i NALT-it (Ekipi Ndërlidhës dhe Këshillues për FSK-në) gjeneral brigade Uwe Becker.
Ministri Rrustem Berisha, me këtë rast, e falënderoi zëvendës ndihmës sekretarin e NATO-s, Parish, për bashkëpunimin e deritanishëm me NATO-n, e në veçanti me NALT-in, si dhe e njoftoi atë, me të arriturat e përgjithshme të FSK-së, zhvillimin e saj si Forcë profesionale dhe shumetnike, dhe, si institucioni më i besuar në vend.
Ministri i FSK-së, e njohu Parish, me procesin e tranzicionit të FSK-së, ecurinë e procedimit dhe miratimit të draft ligjeve për FSK-në, bazuar në procedurat e rregullta parlamentare dhe në diskutime publike me të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Ministri Berisha e informoi delegacionin e NATO-s, edhe me vizitat e fundit, që i zhvilloj në shtetet e rajonit, ku i ka njoftuar homologët për procesin e tranzicionit të FSK-së, duke i siguruar kështu partnerët për një transparencë të plotë mbi procesin e tranzicionit.
Në fund, ministri Berisha, shprehu gatishmërinë e Kosovës, që me kapacitetet që FSK-ja do t’i ketë; me misionin dhe detyrat e reja, do t’i kontribuojë paqes në Kosovë, rajon e me gjerë së bashku NATO-n dhe partnerët.
Ndërsa, delegacioni i NATO-s, gjatë takimit ishte fokusuar për procesin e tranzicionit, për bashkëpunim të mëtejmë dhe për fazat e planifikuara të tranzicionit të FSK-së. /Telegrafi/