Site icon Telegrafi

Berisha, përgjegjës sa Basha për braktisjen e popullit

Ish-kryeministri, Sali Berisha, parë herë të parë është shprehur haptazi kundër vendimeve që ka marrë kreut aktual, Lulzim Basha për emrat e kandidatëve. Gjatë një interviste për gazetarin Çim Peka, Berisha ka kritikuar listat për deputet, duke pohuar se ato ishin listat e Bashës dhe jo të Partisë Demokratike. Berisha ka qenë i ashpër me Bashën edhe sa i përket përjashtimeve, disa prej të cilave i ka quajtur të papranueshme.

Gazetari Peka në një status në Facebook ka dhënë disa prej detajeve të intervistës me Berishën. “Këshilltarët e Lulzim Bashës janë mizerabel. Ajo nuk ishte lista e PD-së, por lista Basha. Disa përjashtime janë të papranueshme. Unë s’do e bëja kurrë atë listë”, tha Berisha. Ish-kreu demokrat tregoi se çfarë bisedoi me Metën në zyrën e tij pas marrëveshjes Rama-Basha. Berisha ka dhe një apel për ish-bashkëpunëtorët e tij, aktualisht kundërshtarë të Bashës.

E gjithë lista e Bashës, përjashtuar Sali Berishën është një listë për të fshirë historinë e PD-së, e kundërta, lista e Edi Ramës është për të promovuar historinë politike të Partisë së Punës. Si e ka ndjerë veten Sali Berisha kur e ka parë veten në këtë listë?

Absolutisht, unë e kam theksuar që atëherë që unë do të kisha bërë një listë krejtësisht tjetër. I kam konsideruar dhe i konsideroj të pamotivuara largimet e disa eksponentëve të rëndësishëm të PD-së nga lista. Kam theksuar që atëherë se kjo është listë e kryetarit, për herë të parë në historinë e Partisë Demokratike. Lista janë të partisë, kjo realisht ka qenë listë e kryetarit se nuk kaloi në forumet e partisë. Dhe nëse kjo listë fiton unë kam deklaruar se do ta duartrokasim në mënyrë të zjarrtë. Tani, çdo njeri tjetër në Shqipëri, përveç Çim Pekës mund të thotë se ‘ti nuk ke besuar se do të fitojë’.

Njeriu që nuk mund ta thotë këtë është Çim Peka, po të ketë parasysh një bisedë që bëmë me hapjen e fushatës në Fier, e cila me aq sa unë di të vlerësoj fushatat, ishte një hapje e shkëlqyer dhe në vlerësimin tim, nëse fushata do të ruante atë trend Lulzim Basha do të arrinte të kapërcente problemet e krijuara dhe do të elektrizonte elektoratin shqiptar. Nuk jam paragjykues. E kam thënë atëherë që nëse fiton do ta përshëndesim në mënyrë të zjarrtë. Po humbi, ka përgjegjësinë më të madhe personale. Sigurisht e kam theksuar se jo e tërë përgjegjësia ishte vetëm e tij. Nuk do shërbente nëse do thuhej kjo. Përgjegjësia është e përshkallëzuar, por më kryesorja është e kryetarit.

Thoni se kam shkruar se Sali Berisha duhej largohej..! Jo. Pse? Sepse nuk kam qenë unë në listat e atyre që u larguan, kanë qenë ata në listën time. Kështu që unë pozicionin tim, e kisha ridimensionuar me kohë. Ata për mua kanë qenë bashkëpunëtorë të çmuar dhe unë jam vlerësues dhe falënderues për të gjithë bashkëpunimin që kemi pasur dhe mbetem në marrëdhënie miqësore me ta pa asnjë diskutim. Pastaj kur vjen problemi se unë të lista e atyre apo ata te unë është çështje tjetër.

Ka një propozim nga një pjesë e kryesisë së PD-së që kërkojnë ndryshime të rëndësishme në statutin e PD-së, për të rikthyer kompetencat tek institucionet dhe jo për ta kthyer në pronë të pronarit. Cili është gjykimi i Sali Berishës?

Gjykimi i Sali Berishës, që ja kam shprehur dhe kryetarit dhe këtyre., është se ndërhyrjet në statut janë të domosdoshme. Ndonëse duhet të them që statuti ka nene që janë shkelur. Për të shmangur të gjitha këto, unë gjykoj se palët duhet t’i bashkojnë ndryshimet statutore. Në bisedat që kam pasur kam gjetur gatishmëri të plotë tek kryetari i PD-së, edhe tek të tjerët. Unë gjykoj se kjo është një rrugë me interesin më të madh për të gjitha palët për ta kapërcyer këtë krizë të PD-së. Në këtë rrugë çdo palë duhet të lëshojë diçka, në emër të një perspektive të partisë dhe të vetë politike.

Çimi unë gjithnjë më ka rastisur të takoj politikanë nga Shqipëria, nga Kosova, nga të gjitha anët, që ishin shumë të zemëruar në shkallën më të lartë me kryetarin, por unë ju kam rikujtuar një gjë: Problemi është investimi yt. Njerëzit që kanë investim politik, ata duhet të kujdesen mbi të gjitha për investimin e tyre politik. Po të marrësh disa prej bashkëpunëtorëve të mi, të marrësh se çfarë kanë shkruajtur ndaj meje, mund të bësh vëllime, por unë përsëri i kam pranuar ata plotësisht pikërisht mbi bazën e investimit të tyre politik, dhe kam qenë i kënaqur që ata po kthehen në investimin e tyre politik. Ndaj dhe unë i ftoj të gjithë politikanët që të kthehen në investimin e tyre politik dhe të gjejnë një gjuhë, nëpërmjet kompromiseve të shkojnë drejt një perspektive të re.

Berisha, gjatë këtyre muajve a jeni penduar që keni dhënë dorëheqjen në 2013 dhe ka shumë zëra dhe akuza brenda PD-së që keni mbështetur Bashën në 2013?
Dy momente. Nuk jam penduar qoftë edhe për një të qindin e milisekondës, nuk pendohem. Gjatë jetës më ka takuar të marr vendime të rëndësishme, por unë kurrë nuk kam marrë vendime pa i marrë mirë dhe qartë.

Kurrë nuk jam penduar për vendimet e mia. Për asnjë nga vendimet e mia të mëdha nuk jam penduar. E dyta për garën. Është e rëndomtë kjo që njerëzit besojnë gënjeshtrat e veta. Cila është e vërteta. Në mënyrë absolute, as Lulzim Basha dhe as i ndjeri Sokol Olldashi nuk janë thirrur nga Sali Berisha për të kandiduar. Jo. Që të dy kanë ardhur vetë tek Sali Berisha. U kam thënë të njëjtën fjali që të dyve: Ky është vendim i juaji, unë nuk kam asgjë kundër. Ua kam bërë të qartë që asnjëri prej tyre të mos thotë se jam kandidat i Sali Berishës. Ishin kandiduar siç duhet. Djem të zotë që të dy. Fushata ishte e para e kësaj natyre.

A ju ka thënë Lulzim Basha, a është konsultuar me ju, para apo pas takimit me Ramës se çfarë ka biseduar. Ju a jeni në dijeni se cila është marrëveshja afatgjatë, sepse Rama flet për marrëveshje afatgjatë. Deri ditën e zgjedhjeve keni thënë që është një marrëveshje win-win…

Po e kam thënë dhe e saktësoj se çfarë ishte. E kam thënë me bindje të thellë. Së pari, a më ka thënë Lulzim Basha që do të bëj takimin? Absolutisht jo, por jam i bindur në mënyrë të prerë se ai nuk ka shkuar atje i paralajmëruar se do të bëjë takimin sepse Edi Rama nga Elbasani tha se nuk po marr pjesë. Nuk di të kenë komunikuar, nuk kam pasur dijeni. Pas takimit më ka thënë dhe për hapin e tij për të pranuar çfarë ishte kërkuar dhe pak më shumë biles. Në rrafshin politik ajo ishte në vlerësimin tim një fitore e shkëlqyer.

Nëse në atë kohë nuk e kam shprehur me termat e forta për arsye elektorale, unë tani e them: Ajo ishte një fitore e shkëlqyer e Lulzim Bashës. Sepse të arrije, t’ia rrëzoje gjysmën e qeverisë kryeministrit, tejkaloje çdo lloj parashikimi dhe ishte një fitore në rrafshin ndërkombëtar sepse e gjithë bota e mori vesh që ajo çadër pati kazus të drejtë dhe se ngadhënjeu kauza e çadrës. Kjo ishte. Nga ana tjetër e kam thënë dhe e them, Edi Rama shpëtoi lëkurën e vet dhe aty bëri mirë. Pavarësisht se ai për mua është ashtu siç është, përsëri ai aty tregoi një kuant politikani dhe shpëtoi lëkurën e tij.

Ky ishte vlerësimi. Marrëveshja, ky sukses i madh u kthye në të kundërt nga Edi Rama, ky ishte problemi. Ai mori të gjitha avantazhet e marrëveshjes. Ai paraqiti atë si një sukses të vetin, e paraqiti atë si një mëshirë për një djalë të mirë si Lulzim Basha dhe marrëveshjes nuk iu bë avokatia në mënyrën e duhur nga Lulzim Basha.

Të nesërmen e marrëveshjes në zyrën tuaj ka ardhur për një kafe, ish-kryetari i LSI-së, presidenti aktual Ilir Meta. Çfarë ka biseduar me ju atë ditë, Ilir Meta?

Një kafe kortezie dhe asgjë tjetër. Sepse personalisht unë e kam mirëpritur marrëveshjen dhe takimin Basha-Rama. Unë kam prerë çdo lloj përpjekje të Ramës që të komunikonte me Sali Berishën. Kam prerë me thikë çdo lloj përpjekje të tij dhe kam qenë kategorik. Ata janë takuar. Nuk është përgjegjësia ime që ata mendojnë gabim. Është çështje e tyre.

Nuk ka diskutuar asgjë madhore politike përveç se një kafe kortezie me Ilir Metën. Ai ndoshta e mendoi se kjo marrëveshje kishte qëllime kundra tij, dhe nuk përjashtohet se ajo pati perkursione të tilla gjatë fushatës, çfarë pagoi një çmim shumë të shtrenjtë PD-ja. Sepse gjatë fushatës Rama arriti të krijojë përshtypjen se do të kishim një koalicion PD-PS.

Vetvetiu doli atë javë që Ilir Meta do të ishte opozita e vetme, çka e ndihmoi LSI-në, e bëri me fletë. Nëse marrëveshjen Rama e nisi për të dëmtuar Ilir Metën, mund të thuash që Ilir Meta nuk humbi nga marrëveshja. Ajo javë propagande elektorale, e rrebesheve ndaj LSI-së u tha shqiptarëve se, shikoni ai është një opozitar i vërtetë.

Exit mobile version