Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet, Hisen Berisha ka thënë se e pranon rezultatin e zgjedhjeve parlamentare.
Berisha në “Debat Plus”, të RTV Dukagjinit ka thënë se do të jenë opozitë konstruktive.
“E njoh rezultatin e PDK-së, do të vazhdojmë të luajmë rolin e opozitës. Do të jemi konstruktiv. Politika nuk bëhet vetëm duke qenë në pozitë”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.
I pyetur se çfarë veprimesh do të ndërmarrin nëse Albin Kurti do të bëjë një marrëveshje me Serbinë, Berisha tha se për çdo vendimmarrje Kosova e ka Kushtetutën.
“Partia Demokratike e Kosovës i ka qëndrimet e veta, i ka prezantuar kryetari Veseli. Kosova ka një Kushtetutë dhe adresa e çfarë do vendimmarrje është Kushtetuta”.
Ai ka thënë se deputetët e PDK-së nuk do të shihen asnjëherë duke gjuajtur gurë dhe vezë, sipas tij veprimet e tilla tregojnë mungesë të kulturës./Telegrafi/