Dardan Berisha, basketbollist i Sigal Prishtinës, është shprehur optimist para takimit që skuadra e tij, e zhvillon sonte ndaj skuadrës maqedonase KK Kozuv në kuadër të Ligës Ballkanike.
Basketbollisti pejan pohon se ndeshja ndaj skuadrës maqedonase nuk do të jetë e lehtë, ani pse në takimin e parë në Maqedoni, prishtinasit kishin shënuar fitore.
“Unë mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Është e vërtetë se e kemi mposhtur Kozuvin në takimin e parë me 12 pikë dallim, por kjo është ndeshje tjetër pasi Kozuvi ka ndryshuar si skuadër, si në përbërje ashtu edhe në shtabin teknik, pasi në krye të saj tani është ish-trajneri ynë, Marjan Ilievski. Kozuvi ka nevojë për fitore me çdo kusht pasi i nevojitet për të shpresuar për një vend në gjysmëfinale, andaj basketbollistët e saj pritet të jenë shumë të motivuar.
Në anën tjetër ne me një fitore eventuale ndaj tyre do ta vulosnim pjesëmarrjen në gjysmëfinale të Ligës Ballkanike. Kjo do të thotë se edhe ne jemi shumë të motivuar për të triumfuar. Unë po ashtu besoj se edhe tifozët do të jenë në numër sa më të madh në palestër për të na përkrahur në rrugëtimin tonë në këtë ligë.
Edhe pse në këta dy muajt e parë të vitit kemi qenë shumë të ngarkuar me ndeshje të forta si në garat vendore ashtu edhe në Ligën Ballkanike unë kam besim të madh në skuadër dhe jam optimist se do të vazhdojmë me fitore”, u shpreh Berisha.
Ndeshja mes skuadrës së Sigal Prishtinës dhe Kozuvit do të zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë dhe fillon në ora 19:00. /Telegrafi/