Site icon Telegrafi

Berisha: Nuk luaj për Prishtinën në Ligën Ballkanike

Me dominimin e Pejës mbi Sigal Prishtinën në dy ndeshjet e fundit në play-off, janë ngritur dyshimet se skuadra nga kryeqyteti nuk është e denjë për ta përfaqësuar Kosovën në Ligën Ballkanike, teksa edhe Dardan Berisha ndanë mendim të njëjtë për këtë gjë.

“Mendoj se ne kemi treguar gjatë këtij sezoni se kemi qenë më të mirë se Sigal Prishtina, edhe pse kupën e kanë fituar ata, por nuk ka lidhje ajo. Mendoj se këto gjëra i vendosin federata dhe BIBL”.

“Sidoqoftë, unë mendoj që Sigal Prishtina me sjelljet e fundit ka treguar një papjekuri për sportin, ndoshta mospërgatitjen për diçka më të madhe se liga e Kosovës, por besoj se nëse pranohen në Ligën Ballkanike ata do të përmirësohen dhe unë do të jem fans i tyre në Ballkan Ligë sepse do ta përfaqësojnë Kosovën”, theksoi ai.

I pyetur nëse se a do të luante për Sigal Prishtinën për ta përfaqësuar Kosovën në Ligën Ballkanike, ai u shpreh kështu: “Jo, nuk ma merr mendja pas të gjitha gjërave që kanë ndodhur kohën e fundit. Këto sjelljet e fundit të tyre e kanë prishur shumë Prishtinën në sytë e mi dhe të shumë njerëzve tjerë dhe vetë klubi është dëmtuar”, ka bërë të qartë Berisha për Telegrafin.

“Politika në sport, këto paraqitjet në media, këto arsyetimet e humbjeve, mendoj se ia kanë ulur imazhin e klubit. Unë mendoj se njerëzit që punojnë aty duhet ta mbrojnë imazhin e tyre e jo ta prishin atë, nëse humbin atëherë duhet ta pranojnë dhe t’ia zgjasin dorën kundërshtarëve, por me këto sjellje kanë treguar se nuk janë të përgatitur për diçka më të madhe në sport, e sidomos për Evropë”, potencoi Dardani.

“Tek e fundit Liga Ballkanike nuk është edhe shumë cilësore, sepse Adriatik Liga është shumë, shumë më e fortë. Unë mendoj se për karrierën time duhet të luaj në ndonjë ligë më të fortë”, ka thënë Berisha. /Telegrafi/ 

Exit mobile version