Pas fitores së sotme të Prishtinës në ndeshjen e parë finale të Ballkan Ligës, kundër Mornarit, ka folur Dardan Berisha.
Berisha ka thënë se ndeshja ka qenë e mirë dhe se kanë fituar me meritë. Ai nuk ka lënë pa përmendur as atmosferën e mrekullueshme të krijuar nga publiku vendas, duke vënë theks të veçantë tek Plisat, transmeton Koha.net.
“Ndeshje e mirë, e fortë, me meritë e kemi fituar. Ka qenë atmosferë tepër e mirë, fenomenale, e falënderoj krejt Prishtinën, e në veçanti Plisat”, ka thënë Berisha për Koha.net.
Lojtari më i mirë kosovar dhe MVP i vitit të kaluar në Ballkan Ligë, Dardan Berisha, ka thënë më tej se diferenca prej 14 pikësh për lojën kthyese nuk do të luaj rol sepse atje do të shkojnë sikur do të ishte rezultati 0:0.
Ai në fund ka folur edhe për paraqitjen e tij në këtë ndeshje. “Pjesën e parë jo shumë i kënaqur, të dytën ka qenë më mirë”, është shprehur Berisha.