Telegrafi

Berisha në komision: Grushti ndaj shtetit i organizuar

“Ishte një grusht shteti, i cili u paralajmërua në mënyrën më të përsëritur nga autorët e tij, nga Rama, Ruçi dhe Gjinushi. Ishte një grusht shteti, i cili u përgatit duke shfrytëzuar trashëgiminë më të zezë të Partisë Socialiste. Grushti i shtetit u udhëhoq nga një treshe në krye të kësaj partie, duke besuar se PS-ja do t’i mbështesë plotësisht ata. E vërteta është që kurrë kjo parti nuk ka ardhur në pushtet nëpërmjet votës”, the kryeministri.

Ai kujtoi se në vitin 1997, PS përdori dhunën dhe armët në të gjitha mjetet për të rrëzuar shtetin.

“PS nuk bëri kurrë zgjedhje të denja në një vend, pasi i humbi ato me drejtimin e ri (e thekson), trojka Rama-Ruçi-Gjinushi, gjatë këtyre viteve nuk kanë bërë gjë tjetër vetëm se të eliminojnë votën e lirë të shqiptarëve”, vijoi Berisha, duke shtuar se grushti i shtetit ishte kryer para medieve të Shqipërisë dhe mbarë botës.

“Zoti kryetar, ata që më rrethuan mua dhe Këshillin e Ministrave ishin bajlozë të një pushteti të vjetër. Grushti kishte dy gjysma: ana e ndritshme që ishte Rama-Gjinushi-Ruçi dhe kishte edhe anën e errët dhe këta ishin personat që qëndronin në bulevard. Dhjetëditëshin e fundit kreu i grushtit të shtetit, Edvin Rama, do të deklaronte se kryeministri i vendit ose të pranonte pushtetet ose do të tejkalonte Kushtetutën. Një natë përpara do të paralajmëronte kryeministrin se do të duhet të kalonte mbi kufoma”, tha kryeministri.

Berisha shtoi se Rama manipuloi një video njësoj si etërit e tij. “Një video u shfaq. Z. kryetar reagimi ka qenë i fuqishëm ndaj asaj videoje, pasi e konceptova si fillimin e një skenari ogurzi. U ndërmorën sulmet më të fuqishme kundër kësaj videoje. Të nesërmen, gazetarë me dinjitet i kërkuan TV të shfaqte 20 e ca sekonda të prerë ku faktohej se kryeministri i vendit nuk kishte lidhje në atë bisedë. Aty bëhej fjalë për ndërrimin e drejtorit të KESH-it që ishte pjesë e marrëveshjes”, u shpreh Berisha. /Telegrafi/