Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet, Hisen Berisha ka thënë se aderimi i tij në PDK është bërë për shkak të lidhjes direkte që ka me Kadri Veselin si dhe për programin e partisë.
Berisha ka thënë se PDK ka ndryshuar.
“Partia Demokratike e Kosovës nuk është ajo e pas luftës, ajo ka ndryshuar. Programi i PDK-së është i mbështetur në luftën kundër korrupsionit. Këto ditë partneri strategjik SHBA më së shumti e ka vizituar liderin e PDK-së, Kadri Veselin”, ka thënë ai në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit, transmeton Telegrafi.
Berisha ka thënë së për Kosovën është jetike partneriteti me SHBA-në.
Ai gjithashtu ka folur edhe për ndikimin rus në Kosovë.
“Influenca ruse është munduar të jetë në Kosovë, ndërkohë është edhe influenca e SHBA-së. Influenca ruse është dy tre hapa ma përpara se ajo e SHBA-së. Influenca ruse nuk është e drejtpërdrejtë në Kosovë, mirëpo ka ardhë përmes Turqisë dhe Serbisë”, ka thënë ai.
Berisha është deklaruar edhe për dialogun Kosovë-Serbi.
“Kriteri amerikan ka qenë duhet të vazhdohet dialogu, dialogu të jetë pa kushte. Nuk do të ketë marrëveshje brenda muajit në qoftë se ne palët qesim kushte. Tashmë e kemi rolin e Amerikës në dialog. SHBA e ka luftën me Rusinë, Ajo po i nxjerr në shesh, ambiciet e tyre për korrigjim të kufijve”, ka pohuar ai. /Telegrafi/