Site icon Telegrafi

Berisha: Mjetet që po grumbullohen për Fondin e Sigurisë nuk duhet të përdoren për FSK-në

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka thënë se mjetet që po grumbullohen për Fondin e Sigurisë nuk duhet që të lejohet të përdoren për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Nuk është e sigurtë prejardhja e mjeteve. Ushtria duhet të financohet nga buxheti i shtetit. Për ushtri duhet të ndahet buxhet në rrugë formale, ligjore, që të mos ndodhë komprometimi i këtij institucioni”, është shprehur Berisha.

“Ky fond është ilegal. Mënyra e mbledhjes është duke e keqpërdorur sedrën e shqiptarëve si në Kosovë ashtu edhe në diasporë. E kemi dëshmuar në kohë të luftës duke krijuar fondin ‘3 për qind’, pastaj fondin ‘Vendlindja thërret’. Nuk është mirë të provokohet sedra e shqiptarëve në këtë fushë sepse secili është i gatshëm të japë për ushtri”, tha ai në Klan Kosova FM.

Sipas Berishës mjetet e dhëna për fondin mund të ridestinohen sipas vendimit mbi të cilin është themeluar fondi.

“Nuk është i destinuar ekskluzivisht për ushtrinë. Këta [Lëvizja Vetëvendosje] janë kyçur në politikë përmes kauzave të rrejshme. Janë specialistë të kauzave të rreme. Çdo ditë ata po shndërrohen në specialistë mashtrimi dhe çdo premtim i tyre është mashtrim. Edhe kjo formulë [fondi] është mashtrim”, ka thënë Berisha.

Ai ka thënë se është kohë që të forcohet buxheti për ushtrinë, por siç thotë ai në linja ligjore.

Exit mobile version